Lojëra me Dore

Mrekullia e 4-t për Karlos Alkaraz, triumfon në Madrid ndaj surprizës Struf

Gazeta Si – Spanjolli konfirmohet në Madrid, mund Struf në finale 6-4, 3-6, 6-3, duke fituar Masters 1000 e 4-t në karrierë. Në Romë mund të parakalojë serbin Novak Gjokoviç.

Nuk ndalet Karlos Alcaraz. Në Madrid, ku kishte fituar titullin edhe vitin e kaluar, mundi Jan-Lenard Struf pas 3 setesh. Ishte finalja e 4-t në një Masters 1000 në karrierë dhe në të gjitha Alkaraz ka arritur të bëjë të tijin trofeun.

Tenisti gjerman, protagonist i përrallës së javës dhe finales së parë në moshën 33-vjeçare, u dorëzua ndaj një kundërshtari dukshëm më të fortë dhe që do të shkojë në Paris si favorit. Alkaraz, që kishte humbur me Struf në Roland Garros 2021 dhe e kishte mundur atë me 5 sete vitin e kaluar në Uimbëlldon, e mbylli finalen pas 2 orësh e 25 minuta.

Me këtë rezultat Karlos shkon në 5 pikë pas Gjokoviçit, numrit 1 të renditjes botërore. Tani serbi është nën presion, sepse duhet të mbrojë 1000 pikët e vitit të kaluar të fituara në Romë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë