Trashëgimi

Mozaiku i Bazilikës Paleokristiane të Linit, hapet për vizitorët/ Daton që nga shekulli VI

Nga Gazeta “SI”– Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka publikuar së fundmi pamjet e zbulimit të mozaikut të Bazilikës Paleokristiane të Linit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë arkeologjike. Ky mozaik i rrallë është tashmë i hapur për vizitorët, si pjesë e aktiviteteve që shënjojnë nisjen e sezonit turistik veror.

E ndodhur në gadishullin e Linit, në brigjet e liqenit të Ohrit, kjo bazilikë daton në shekullin VI dhe përfaqëson një nga dëshmitë më të vyera të krishterimit të hershëm në territorin shqiptar. E zbuluar për herë të parë në vitin 1967 nga një ekspeditë arkeologësh të muzeut të Pogradecit, Bazilika e Linit përbëhet nga naosi, dy kapela me absidë në jug dhe veri, baptiseri, atriumi dhe një kapelë me formë të rrallë katërkonkshe.

Dyshemetë e këtij kompleksi janë të shtruara me mozaikë që përfshijnë motive të ndryshme: gjeometrike, bimore dhe zoomorfe. Në qendër të tyre qëndrojnë simbolika dhe figura me karakter fetar, që e bëjnë këtë mozaik ndër më unikët në llojin e vet.

Mozaiku i Linit më shumë se një atraksion turistik , është një dritare në jetën kulturore dhe estetike të një epoke të largët.

IKTK fton të gjithë qytetarët dhe vizitorët e huaj të zbulojnë këtë pasuri të rrallë, që dëshmon për rrënjët e thella të qytetërimit tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë