Në prag të dy sfidave kualifikuese me Hungarinë dhe Poloninë, trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka marrë një “nder” të vogël nga Zhoze Mourinjo. Portugezi ka aktivizuar sot për 90 minuta mbrojtësin Marash Kumbulla, i cili ka kohë që qëndron në stol te Roma dhe kjo situatë ishte bërë shqetësuese edhe për Kombëtaren.
Futbollisti kuqezi këtë herë ka marrë gjithë hapësirën e nevojshme nga trajneri Mourinjo në Ligën e Konferencës. Por, me atë që ka treguar në fushë, ai ka vërtetuar se është larg formës dhe se qëndrimi në stol ndikon jo pak. Kumbulla është vlerësuar me notën 5.5 për paraqitjen e bërë ndaj ukrainasve të Zorias, ku Roma fitoi me lehtësi 0-3 dhe mbrojtja kishte fare pak punë.

“Del nga zona e kuqe për të marrë “ajër të freskët”. Futbollisti shqiptar, i lënë në harresë nga Mourinjo, krijon rastin më të rrezikshëm për Rui Patricion, duke i dhuruar kundërshtarit një mundësi për të barazuar. Në pjesën e dytë ndëshkohet me karton të verdhë dhe rrezikon të shkaktojë një penallti. Mirë në markim, në atë pak që ka për të markuar”, – shkruhet në përshkrimin për paraqitjen e Kumbullës në ndeshjen e sotme.
Sidoqoftë, fakti që ka luajtur një ndeshje të plotë mund ta ndihmojë Kumbullën për të fituar sadopak ritmin dhe reflekset e lojës para dy sfidave të Kombëtares. Kumbulla është një nga titullarët e mbrojtjes kuqezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.