Ka ndodhur

Motra e Dumanit jep dorëheqjen nga posti në Ministrinë e Jashtme: Ndihem në rrezik

Gazeta Si – Motra e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, ka dhënë dorëheqjen nga dikasteri i Ministrisë së Jashtme.

Në një letër të publikuar për mediat, Xhuljana Dumani thotë se ndihet e rrezikuar për jetën.

“Jam baltosur në mënyrë të padrejtë e po vijoj të baltosem e të rrezikohem çdo orë e më shumë për shkak të publikimit të të dhënave të mia personale, fotografive, vendit të punës”, – shkruan në letrën e dorëheqjes.

Nga ana tjetër, motra e Dumanit shprehet se institucioni ku ajo punon prej disa kohësh po akuzohet padrejtësisht.

Ajo pretendon se detyra e saj ka qenë tërësisht teknike dhe pa akses në dokumentacionin të klasifikuar.

Dorëheqja vjen pak orë pasi Ministria e Jashtme reagoi me një sqarim pas raportimeve se motra e Dumanit, ishte punësuar në këtë dikaster dhe ishte pajisur me certifikatë sigurie.

Në një njoftim për mediat, MEPJ sqaroi se shtetasja me iniciale Xh.D. ishte përzgjedhur fillimisht për të kryer praktikën 3-mujore në ministri.

Pas përfundimit të praktikës, me motrën e Nuredin Dumanit është lidhur një kontratë 1-vjeçare pune.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë