Ka ndodhur

Ishte dënuar për vrasje, humb jetën në një aksident “Xubi i Yzberishtit”

Një 45-vjeçar ka humbur jetën në një aksident rrugor teksa motori të cilin drejtonte është përplasur me dy automjete të tjera. Bëhet fjalë për Fatmir Avdillarin, i njohur si “Xubi i Yzberishtit”, i dënuar më parë për vrasje dhe i liruar nga burgu në vitin 2008.

Si pasojë e aksidentit ka mbetur e lënduar dhe drejtuesja 38-vjeçare e njërit prej mjeteve, e cila është transportuar me urgjencë në spital. Ngjarja ka ndodhur në Yzberisht rreth orës 14:30 në Bulevardin e Ri.

Fatmir Avdillari ka qenë një personazh i njohur për institucionet ligjzbatuese në vend, deri te subjekt i OFL-së. Ai është i njohur si një ndër anëtarët e bandës së Yzberishtit në vitet ’97-’98, ku bashkëanëtarë kanë qenë edhe dy vëllezërit e tij, Nazmiu dhe Iliri, ky i fundit i cili identifikohet si “kapoja”.

Fatmir Avdillari ka qenë dënuar me 12 vjet burg, ndërsa doli nga qelia në 2008. Një vit pasi doli ai ekzekutoi Ardian Tahirin në 11 prill 2009. Tahiri u vra me një plumb në kokë në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë. Në atë kohë ‘Xubi’ pranoi në gjykatë krimin dhe deklaroi se Tahirin e kishte ndjekur prej një jave.

Sipas policisë, Fatmir Avdillari ka pasur dyshime se emigranti Ardian Tahiri i kishte vrarë vëllain, Fiqiri Avdillarin në Athinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë