Gazeta Si – Një vit para skadencës natyrale të kontratës, 8 herë kampioni i botës në MotoGP, Marc Marquez, është gati të bashkohet me Ducati-n, pas ndarjes zyrtare nga Honda.
“Edhe pse palët kanë edhe një vit në kontratën 4-vjeçare në fuqi, Honda HRC dhe Marc Marquez kanë rënë dakord që ta mbyllin bashkëpunimin në fund të sezonit 2023, në fund të Botërorit MotoGp”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të skuderisë japoneze.

“Të dyja palët kanë mendimin se është në interesin e tyre që të ndjekin rrugë të tjera në të ardhmen për ta arritur objektivat respektivë. Kjo do të thotë se është fundi i 11 viteve bashkëpunim mes numrit 93 dhe HRC, ku kanë fituar bashkë 6 tituj kampion bote të ‘premier class’, 5 ‘Triple Crown’, 59 fitore, 101 pode dhe 64 ‘pole position’.
Të dyja palët do të vazhdojnë të japin mbështetjen e tyre të plotë për garat e mbetura të sezonit 2023. HRC i uron Marc Marquez më të mirën në impenjimet e tij në të ardhmen”, – vazhdon njoftimi.
Bëhet fjalë për një ndryshim historik në motoçiklizmin botëror, si kalimi i Valentino Rosit nga Honda HRC tek Yamaha në fund të 2003-shit, pas 5 titujsh kampion bote, 3 nga të cilët radhazi.
Destinacioni i ardhshëm i Marquez pritet Ducati. Marquez ka debutuar në MotoGp me Honda RC213V në garën e Austin, në 2013-ën, duke u bërë fituesi më i ri në moshë i ‘premier class’ dhe në fund të sezonit kampioni më i ri në në moshë i botës. Tani spanjolli e ka rrugën e lirë për kalimin te Ducati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



