Motosport

MotoGP/ Bagnaia super në Portimao, panik pas incidentit Markez-Oliveira

Gazeta Si – Kampioni në fuqi e nisi sezonin me një fitore të bukur, duke lënë pas Aprilian e spanjollit. Frikë e madhe gjatë garës për incidentin mes Mark Markez dhe Oliveirës.

Dukati dhe Peko Bagnaia rinisen me një sukses, duke fituar garën e Portimaos, e para e Botërorit 2023 në MotoGP. Momente frike pas incidentit mes Mark Markez dhe Miguel Oliveirës në xhiron e tretë të garës. Vendin e dytë e ka zënë spanjolli Maverik Vinales me Aprilia. Podi është kompletuar nga Marko Bexeki i skuadrës VR46.

Protagoniste absolute e kësaj gare ishte Italia, me 4 Dukati dhe 1 Aprilia në 5 vendet e para. Mjaft mirë ka bërë Bagnaia, i cili e administroi shumë mirë garën.

Për t’u parë në vazhdim janë Yamaha dhe Honda. Yamaha zuri vendin e 8-të me Fabio Kuartararo, që nuk shkëlqeu sot. Paraqitje të mirë bëri Ktm, me Bred Binder dhe Xhek Miler, që zunë vendet 6 dhe 7. Honda zuri një vend të 10-të me Alejs Rins.

Markez krijoi momente paniku në xhiron e 3-të, ai gaboi dhe përplasi Olivierën, me portugezin që dëmtoi këmbën e djathtë. Pati polemika për manovrën e gabuar të Markes, që tha se kishte një problem me motorin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë