“Tani shirat kishin ardhur vërtet”, shkruante Chinua Achebe në “Things Fall Apart”, novela nigeriane e shekullit të 19-të. “Aq i rëndë dhe këmbëngulës sa që edhe ‘shibërësi’ nuk pretendonte më se mund të ndërhynte. Ai nuk mund ta ndalte shiun tani, ashtu siç nuk do të përpiqej ta niste në zemër të stinës së thatë, pa rrezik serioz për shëndetin e tij.” Në ekonomitë agrare, ku bazohet dhe novela e Achebe, cikli ekonomik dhe moti lëvizin në sinkron.
Kur shirat arrijnë në kohën e duhur, të mbjellat e të korrat janë me prosperitet. Në kontrast, thatësira sjell uri dhe vdekje. Shibërësi, është pak a shumë guvernatori i bankës qendrore në ditët e sotme, tenton të zbusë ciklin, duke ‘lagur’ pak gjërat kur nxehen shumë. Në fund të fundit, megjithatë, është fuqia e natyrës ajo që vendos rezultatin.
Kriza energjike në Europë ka rikthyer ekonominë e mbështetur në mot. Kriza është një rikujtim se përpos teknologjisë së sofistikuar, edhe ekonomitë e botës së pasur duhet të mbështeten në madhështinë e natyrës. Ekonomistët europianë, financierët dhe politikbërësit po shohin më seriozisht parashikimet e motit; një dimër i qetë do të ishte shpëtim, do kërkonte më pak gaz për tu djegur sepse shtëpitë nuk do të ishin shumë të ftohta. Nëse temperaturat nuk janë shumë ndëshkuese, çmimet e energjisë do të bien. Nga ana tjetër një dimër me ngrica do të sjellë mizori. Do të fusë miliona njerëz në varfëri, do të rrisë inflacionin dhe do të mbajë industritë e mbyllura.
Lëndët fosile fillimisht premtuan se do të çlironin ekonomitë nga avaritë e stinëve. Në vend që të mbështetet te energjia diellore, e mbledhur në grurë, e ruajtur në bagëti ose e fotosintezuar në biomasë dhe më pas e konsumuar si dru zjarri, njerëzimi mund të digjte qymyr, duke çliruar energjinë solare parahistorike që përmbante brenda. Përdorimi i lëndëve djegëse fosile lejoi që energjia të magazinohej, transportohej dhe çlirohej pikërisht kur kërkohej.
Ann Kussmaul, një historian ekonomik, gjurmoi përhapjen e Revolucionit Industrial nëpër Angli duke vlerësuar se kur rajonet kaluan përtej ekonomisë sezonale. Përpara industrializimit, martesat në zonat e ulëta shpesh do të bëheshin në dimër pas marrjes së të korrave; në zonat kodrinore, ato do të ishin gjatë verës, pasi të kishte përfunduar sezoni i qingjeve. Pas industrializimit, modele të tilla martesash rajonale dhe sezonale u zhdukën, duke ofruar një të dhënë se cilat pjesë të Anglisë adoptuan për herë të parë teknikat e prodhimit të bazuar në lëndë djegëse fosile.
Qindra vite më vonë, sezonaliteti po kthehet në Europë, ndërkohë që ajo tenton të largohet nga gazi rus. Një arsye e këtij kthimi është fizike. Gazi natyral është shumë më i vështirë se sa qymyri apo nafta për t’u transportuar dhe ruajtur. Në të shkuarën, Europa kishte përfituar nga gazi i bollshëm që vinte nga Rusia si dhe nga opsioni i mbushjes së gazit natyror të lëngshëm të dërguar nga jashtë. Tani furnizimet janë të pakta dhe europianët duhet të mbështeten kryesisht në masat e dërguara. Objektet e magazinimit të kontinentit janë tashmë më shumë se 90% plot dhe mbushja e pjesëve të fundit të hapësirës në dispozicion është e shtrenjtë, pasi përmbajtja duhet të mbahet nën presion të lartë. Oferta e kufizuar do të thotë që ndryshimet në kërkesë përcaktojnë çmimin e energjisë dhe moti është përcaktuesi më i pasigurt i kësaj kërkese.
Vjeshta i kurseu Europës më të keqen. Kontinenti shijoi tetori më të nxehtë ndonjëherë. Si rezultat, çmimi i gazit u ul në rreth 100 euro, sa gjysma e asaj që ishte në shtator. Por tani dimri po ndjehet. Bora e parë në Gjermani ka arritur. Historikisht ka pasur një korrelacion midis temperaturave dhe kërkesës për gaz; sa më ftohtë aq më shumë gaz. Këtë vit gjërat janë më ndryshe. Sistemet e ngrohjes së shtëpisë janë lënë në gjendje të fjetur për më shumë se zakonisht. Shitjet e batanijeve janë në rritje. Njerëzit janë të gatshëm të ‘mblidhen’ për t’i rezistuar Vladimir Putinit.
Kriza e gazit nuk është e vetmja arsye pse duhet të fokusohemi më shumë tek moti. Burimet e rinovueshme të energjisë tani sjellin më shumë energji në Europë, duke nxitur probleme nëse era nuk fryn dhe dielli nuk shkëlqen. Ndërkohë, hidrocentralet kanë qenë po ashtu problem për Europën këtë vit, pasi vera e nxehtë thau rezervuarët dhe lumenjt, ku ata mbështeteshin.
Përmirësimi dhe investimi në mënyrat për të ruajtur energjinë elektrike, qoftë bateri, hidrogjen apo teknika të tjera, në të ardhmen mund të zbusë një ndryshueshmëri të tillë. Megjithatë, kontinenti përballet me vite, apo edhe dekada, të shikimit me nervozizëm të qiellit teksa përshtatet.
Megjithatë, në mungesë të një tranzicioni në format e gjelbra të energjisë, moti do të fillonte të luante një rol edhe më të madh në ekonomi. Një planet më i ngrohtë tashmë po çon në ngjarje më të shpeshta dhe ekstreme, të tilla si valët e të nxehtit të verës në Europë ose përmbytjet shkatërruese të përjetuara nga Pakistani. Këto ngjarje përbëjnë të ashtuquajturat goditje reale të një ekonomie: ndryshime të jashtme që ulin kapacitetin prodhues dhe kështu shkaktojnë inflacion më të lartë dhe papunësi.
Koka mbi re
Ky kërcënim nga dy anët, është më i vështirë për bankierët që duhet të përballen me rëniet që vijnë nga ndryshimet në besimin e biznesit ose një krizë financiare. Shtrëngimi i mëtejshëm i politikës do të përkeqësojë rënien; shumë pak dhe inflacioni mund të dalë jashtë kontrollit. Kështu, një rikthim në ekonominë e varur nga moti do t’i lërë disa bankierë qendrorë të duken edhe më shumë si shibërës, duke u përpjekur të kryejnë ritualet e vjetra ose të kërkojnë më shumë sakrifica, pa shumë kapacitete për të ndikuar në ekonominë e motit. /The Economist
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



