Sociale

Shi dhe rrebeshe, kryebashkiaku i Tropojës thirrje qytetarëve: Ka rrezik për përmbytje

Nga Gazeta Si - Pas një periudhe të gjatë thatësire, vendi sot është përfshirë nga reshje në formë stuhie e rrebeshe, të cila rrezikojnë edhe përmbytje në disa qytete të vendit.

Situata paraqitet problematike në Tropojë dhe në Lezhë. Kryetari i bashkisë së Tropojës e Lezhës, u bëjnë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes.

Në Tropojë, kryetari i bashkisë Rexhe Byberi, ka publikuar foto të dëmeve që ka shkaktuar shiu i pandërprerë në disa zona. Byberi bën apel që institucionet të kenë një vëmendje të shtuar, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes.

Ai njofton se kanalizimet janë të tejmbushura. Gjendja më alarmante paraqitet në fshatin Vlad. Sipas Byberit përshkallëzimi i situatës në të gjithë territorin e bashkisë që ai drejton po shkon drejt një katastrofe natyrore.

“Shiu i pandërprerë prej dy ditësh shoqëruar me stuhi e rrebeshe po sjell dëme të mëdha në Tropojë. Ndodhem së bashku me stafin tim prej mesnate në Njësinë Administrative Bytyç ku po monitorojmë situatën. Jo vetëm rrugët, kanalizimet, janë të tejmbushura, por nga gërryerjet dhe shembjet e mëdha janë në rrezik banesat e qytetarëve. Gjendja më alarmante është në fshatin Vlad, por pothuajse në të gjithë territorin e Bashkisë përshkallëzimi po shkon drejt një katastrofe natyrore”, shkruan kreu i Bashkisë Tropojë.

Byberi apelon institucionet përgjegjëse, por edhe banorët e Tropojës për kujdes të shtuar dhe solidaritet.

“Kujdesi më i madh duhet të jetë tek rezervuarët e tejmbushur të cilët rrezikojnë në raste si ky. Ne jemi e do të jemi pranë qytetarëve kudo ku janë në vështirësi me mjetet dhe burimet tona njerëzore që të përballojmë këtë situatë të rende e të papritur”, njoftoi Byberi.

Ndërkohë Bashkia e Lezhës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale informoi qytetarët se reshjet e dendura të shiut, të parashikuara gjatë fundjavës, mund të krijojnë probleme të ndryshme për qytetarët.

Edhe në Fier, situata paraqitet problematike, pasi shiu vazhdon të jetë i rrëmbyeshëm shoqëruar me erë të fortë dhe shkarkesa atmosferike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë