Treg

Moti i thatë detyroi blerjen e energjisë, 100 mln euro u shpenzuan për 2020-n

OSHEE bën me dije për gazetën “Si” se vetëm për muajin nëntor është importuar 267,220 MWh energji. Për në vazhdim për muajin dhjetor, thotë OSHEE, gjithçka është në varësi të prodhimit nga ana e KESH.

“Nëse KESH prodhon 5,000 MWh në ditë , importi për dhjetorin do të jetë afërsisht 340,000 MWh”, sqaron OSHEE.

Por KESH nuk i është përgjigjur ende gazetës “Si” se si do të përballohet situata në vazhdim për furnizimin me energji elektrike të familjeve shqiptare dhe bizneseve në stinën e ftohtë, sidomos për festat e fundvitit kur konsumi i energjisë elektrike është edhe më i madh.

Të dhëna të tjera të TV SCAN, tregojnë se rreth 14 mln euro ka shpenzuar Furnizuesi i Tregut të Lirë për blerje energjie, me qëllim plotësimin e  nevojave konsumatore për periudhën 23 nëntor- 13 dhjetor.

FTL, që është një prej kompanive të krijuara nga ndarja e OSHEE, ka kryer 4 procedura për sigurimin e energjisë.

Të dhënat tregojnë se çmimi mesatar me të cilin është siguruar  energjia për dhjetorin ka pësuar një rritje të ndjeshme, duke arritur në 89.16 lekë/MWh. Me blerjen e fundit fatura për blerjen e energjisë përgjatë vitit 2020 shkon 100 mln euro.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, 60.1 mln euro u shpenzuan për periudhën janar-gusht. Megjithatë, kjo nuk është fatura përfundimtare për vitin 2020, duke qenë se FTL ka nisur edhe një tjetër procedurë blerjeje për periudhën 14-20 dhjetor.

Edhe pse një vend i pasur me burime ujore, Shqipëria detyrohet të blejë energji pasi është e varur nga moti për prodhimin e saj duke mos pasur alternativë tjetër furnizimi dhe mbetur në vend numëro me reformën në sektor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë