Ngjarje

Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati, bllokohet plotësisht aksi kombëtar Qafë Plloçë-Qukës

Nga Gazeta ‘Si’- Vendi ynë vijon të jetë i përfshirë nga moti i keq, por situata është drejt përmirësimit në disa qytete.

Mbrëmjen e kësaj të mërkure, për shkak të inerteve dhe dherave në aksin Qafë Plloçë-Qukës, aktualisht po mbyllet qarkullimi në këtë segment.

Mësohet nga informacionet më të fundit, se për të marrë masa lidhur me qarkullimin e mjeteve dhe për të shmangur rrezikun e aksidenteve, është mbyllur përkohësisht qarkullimi në këtë aks.

Policia e qarkullimit rrugor Korçë dhe ajo e Elbasanit po orientojnë mjetet drejt rrugës së vjetër duke vendosur patrulla në hyrje të Qafë Plloçës dhe në hyrje të Qukësit për të mos lejuar hyrjen në aksin e ri.

Aksi do të qëndrojë i mbyllur deri në momentin që firma kontraktore të pastrojë plotësisht të gjitha dherat e inertet që kanë rënë në rrugë dhe derisa të mos ketë më rrezik për qarkullimin e mjeteve.

Gjatë ditës, në Durrës, problematika është në zonën e ish-Kënetës e më konkretisht në bllokun rreth Burgut, ku dje të paraburgosurit u zhvendosën nga kati i parë tek i dyti.

Në Durrës, janë rreth 800 banesa të cilat kanë ujë në oborret dhe në brendësi të tyre dhe janë evakuuar 18 familje me 60 persona të cilët janë sistemuar në 2 shtëpitë e pushimit, në atë të Ministrisë së Brendshme dhe në atë të Mbrojtjes.

Po ashtu probleme ka në Shkozet Lagjja 14 sidomos në zonën që njihet si NISH tulla.

Një grup banorësh të zonës së Kënetës në Durrës kanë protestuar për të kërkuar vëmendjen e strukturave të shtetit pasi banesat e tyre janë ende nën ujë për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Banorë thonë se kanalet janë të bllokuar dhe se kanë mbi 30 cm ujë në oborret dhe banesat e tyre. Ata shprehen se ende nuk ka shkuar asnjë njeri për t’i ndihmuar.

“Uji nuk po tërhiqet dhe dëmet janë shumë të mëdha”, tha një banor ndërsa një tjetër  banor kërkoj nga autoritetet që të shkojnë te kryejnë verifikimet.

“Jemi në mëshirë të fatit, nuk ka ardhur askush nga grupet e verifikimit për të parë situatën”, thotë ai.

Një tjetër thotë se edhe më herët janë përmbytur dhe nuk i kanë dëmshpërblyer pavarësisht premtimit.

“Kërkoj ndihmë. Jam i përmbytur, familje me 4 pjesëtar. Uji arrin deri në 30 cm. Nuk ka zgjidhje. Nuk është vetëm për veten time por edhe për të tjerët. Kjo është hera e dytë që përmbytemi, është hera e dytë. Nuk kemi marrë dëmshpërblim”, u shpreh një banor.

Gjatë natës në Lezhë dhe Kurbin ka patur reshje në intensitet të ulët, çka ka ndikuar në përmirësimin e situatës. Uji është tërhequr në pjesën më të madhe të zonave urbane.

Ndërkohë situata është ende problematike në Kurbin ku janë evakuuar rreth 8 familje, ndërsa sipërfaqja e përmbytur në të gjithë qarkun është 3010 ha dhe 150 banesa të rrethuara nga uji. Konkretisht në bashkinë Lezhë janë nën ujë 1010 ha tokë bujqësore dhe 2000 ha në bashkinë Kurbin. Në gjithë qarkun e Lezhës ka rifilluar procesi mësimor.

Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e pazarit, pranë Ura e Mifolit, si pasojë e prurjeve të larta të ujit. Sipas të dhënave të fundit, niveli i Vjosës ka arritur në 7.1 metra mbi nivelin e detit.

Autoritetet kanë njoftuar të gjitha familjet që jetojnë pranë lumit të marrin masa paraprake dhe të jenë të vëmendshme ndaj çdo rreziku të mundshëm.

Në fshatin Vajzë, ka pësuar çarje rruga nacionale që lidh fshatrat Kote- me fshatin Vajzë, Amantian Sevasterin, Plocen etj. Për shkak të shkarjes së dheut, dy banesa rrezikojnë të shemben po në fshatin Vajzë.

Aksi nacional Gjirokastër- Kakavijë është i bllokuar në zonën e Kordhoçes, përballë fshatit Lazarat. Ne vendngjarje janë punonjësit e firmës mirëmbajtëse të cilët po punojnë për hapjen e rrugës. Gjithashtu ka bllokim te rrugës Gjirokastër-Valare në vendin e quajtur Ura e Aznakut.

Në bashkinë Elbasan janë përmbytur 5 banesa në zonën e uzinës 12 te ish-Kombinatit Metalurgjik si pasojë e bllokimit të kanalit kullues. Raportohet edhe për disa shtëpi të përmbytura në Belsh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë