Ngjarje

Përmbytjet, Vengu: Kërkojmë gatishmëri nga të gjitha qarqet

Nga Gazeta Si- Reshjet e shiut pritet të vijojnë dhe pasditen e sotme si edhe ditën e nesërme, duke rrezikuar përmbytje të mëtejshme në zonat e rrezikuara.

Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se situata më e rënduar është në Durrës dhe në Lezhë.

“Reshjet intensive do të vijojnë në orët në vijim, ndaj kërkojmë gatishmëri maksimale nga të gjitha qarqet e vendit. 10 familje janë evakuuar në Durrës dhe Sukth”, tha ai.

Ndërkohë në Lezhë kërkoi një përqendrim të forcave pasi pritet të ketë një rritje të kuotës së lumit në Gjadër.

“Presim rritje të kuotave në orët në vijim, duhet të pasohet me rritjen e mjeteve në atë zonë që të jemi pranë banorëve në çdo moment”, tha ai.

Sipas ministrit të gjithë hidrovorët janë në funksion të plotë ndërsa u bëri thirrje institucioneve vendore që të njoftojnë në kohë reale të gjithë nevojat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë