Sociale

Të premten moti i keq pezullon lundrimet me Italinë

Gazeta Si - Reshjet e shiut me erë të fortë do të rikthehen sërish këtë fundjavë në një pjesë të mirë të territorit të vendit.

Drejtoria e Përgjithshme Detare, ka paralajmëruar drejtuesit e mjeteve të vogla të lundruese dhe anijeve të peshkimit të marrin masa për sigurinë e tyre.

Sipas Drejtorisë Detare, sot dhe dy ditët në vazhdim, kushtet e motit do të jenë të përkeqësuara. Ndërsa për anijet e tjera, operimi do të vazhdojë normalisht.

Sipas DPD, moti do të jetë i përkeqësuar përgjatë bregdetit shqiptar duke filluar nga ora 16:00 datë 30 nëntor në drejtimin jug-juglindje deri në forcën 6-7bft me shpejtësi ere deri 25m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 3.5 metra.

"Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete në linjën e Vlorë-Brindizi-Vlorë, ditën e sotme do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve. Ndërsa nësër do të pezullohen deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike. Anijet e linjës Sarandë-Korfuz-Sarande do të operojnë normalisht", - thuhet në njoftim.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 22:00 të datës 2 dhjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë