Ngjarje

Moti i keq shkakton dëme në disa zona të Shqipërisë. Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në Durrës (foto)

Nga Gazeta ‘Si’- I gjithë vendi është përfshirë ditën e sotme (22 Nëntor) nga reshje shiu dhe erë të fortë, duke krijuar kështu problematika në shumë qarqe.

Në Durrës njoftohet se për mbrëmjen e sotme është anuluar lundrimi i trageteve Durrës-Bari dhe anasjelltas. Porti i Durrësit njoftoi se imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve do bëhet sot deri në orën 22:00 të mbrëmjes.

Tragetet "AF Franchesca" dhe "Rigel VII" do të nisin lundrimin mëngjesin e ditës së nesërme, 23 nëntor. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve duke vështirësuar kalimin për këmbësorët dhe automjetet.

Në Shkodër është shembur rruga në ndërtim e Dukagjinit, për pasojë dhjetëra banorë kanë mbetur të izoluar. Po kështu rrëshqitje gurësh ka dhe në segmentin Kir-Shosh. Rruga Mes-Dukagjin është bllokuar për shkak të rrëshqitjes së gurëve. Edhe këtu po punohet për pastrimin e saj.

Reshjet intensive të shiut  kanë përfshirë edhe qytetin e Fierit dhe Lushnjes pasditen e kësaj të premteje. Reshjet me intensitet të lartë kanë përfshirë njëherazi edhe njësitë administrative, ndërsa kanë qenë të shoqëruara edhe me erë të fortë.

Deri tani nuk raportohen dëme në toka bujqësore apo sera, ndërsa situata vijon të mbetet në monitorim të vazhdueshëm.

Edhe Policia e Shtetit ka dalë sot me një njoftim zyrtar, ku këshillon drejtuesit e mjeteve, por edhe monopatinave e motoçikletave, që të kenë kujdes me shpejtësinë, teksa jep 7 këshilla, përfshi edhe për këmbësorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë