Ngjarje

Moti i keq përmbyt vendin! Fryhen lumenjtë, disa fshatra pa energji, përmbytje në Shkodër, rrëshqitje dherash në disa rrugë

Prej mbrëmjes të së shtunës, i gjithë territori i vendit është përfshirë nga stuhi të forta dhe reshje të dendura shiu. Situata është paralajmëruar të jetë më problematike në Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Në disa prej lumenjve kryesorë të vendit vihet re një rritje e nivelit të ujit për shkak të prurjeve të dendura të ujit.

Shkodër
Makinë e bllokuar në Theth

Dhjetëra fshatra në Gjirokastër kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe erës së fortë. Sipas informacioneve zyrtare nga njësitë administrative, banorët e fshatrave të Odries, Lazaratit, Celos dhe Lunxherisë që prej mesnatës kanë mbetur pa energji elektrike. Liqeni i Viroit është gati të dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të 24 orëve të fundit. Kjo do të shkaktonte izolimin e qarkullimit në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë.
Ndërkohë në Sarandë, për shkak të përkeqësimit të kushteve meterologjike, është pezulluar lundrimi për të gjitha mjetet deri në datën 22 nëntor.

Përmbytjet në Durrës

Në zonën e Shkodrës, një sipërfaqe prej 400 ha në Fushën e Murriqanit është përmbytur si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Ka një tejmbushje të kanaleve kulluese në Velipojë, Dajç e Bërdicë. Nga inertet është bllokuar rruga kryesore në Zues dhe lejohet lëvizja në një korsi. Përroi Nikgjonaj në Theth ka dalë nga shtrati ku ka prezencë uji në 3 banesa.

Era e fortë dhe reshjet e shumta gjatë mbrëmjes së djeshme, kanë sjellë probleme të shumta në zonën e Dukatit të Vlorës. Për pasojë janë rrëzuar disa pemë të mëdha, gjë që ka sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve.

Edhe Durrësi është përshirë nga reshje të shumta shiu në mëngjes. Tragetet e nisura nga Bari kanë mbërritur në kohën e duhur, por peshkarexhat dhe anijet e vogla janë të bllokuara në port si pasojë e motit të keq.

Ndërkohë raportohet për reshje shiu intensive edhe në Kukës.

ARRSH: Shkarje gurësh dhe thyerje pemësh në akset rrugore kombëtare
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, reshje me intensitet kanë përshkuar të gjithë vendin, por pa bllokuar qarkullimin në akset kombëtare
Ka pasur rënie të inerteve në trup të rrugës më të shpeshta në Rajonin Verior, dhe pemë të këputura, si në Vlorë-Orikum të cilat janë pastruar menjëherë. Në aksin Bajram Curri-Valbonë ka pasur rënie gurësh dhe inertesh, qarkullimi për momentin kryhet me një korsi
Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të mbajtur qarkullimin në normalitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë