Ngjarje

Mot i keq në fundjavë, Policia Rrugore apel drejtuesve të mjeteve: Kujdes me shpejtësinë

Nga Gazeta Si- Policia Rrugore ka lëshuar një thirrje të fortë për kujdes të shtuar gjatë fundjavës, duke marrë shkas nga shkeljet e shumta të evidentuara në akset rrugore, sidomos në ditët e pushimit, por edhe nga parashikimet për reshje shiu në fundjavë, që pritet të mbërthejnë vendin tonë nga mesdita e të shtunes.

Në deklaratën e saj zyrtare, policia u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme që mund të çojnë në ngjarje tragjike.

Policia u bën thirrje drejtuesve që të tregojnë kujdes në akset rrugore ku mund të ketë prezencë uji.

“Të mos drejtojnë automjetet apo motomjetet me shpejtësi tej normave të lejuara. Të mos kryejnë parakalime të gabuara apo sjellje agresive në rrugë dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për të gjithë drejtuesit e motomjeteve, biçiklistët dhe ata me monopatina policia bën thirrje që gjatë natës të veshin jelekët fosforeshentë që të bëhen të dallueshëm në trafik në kushtet e errësirës dhe të vendosin kaskë mbrojtëse në kokë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë