Sociale

Mot i keq në ditët në vijim, të premten reshje shiu ‘shumë intensive’ në disa qarqe. Kërkohet mobilizim i emergjencave civile

Gazeta Si - Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim priten reshje të dendura, kryesisht në veri të vendit.

Konkretisht të premten e 22 nëntorit, priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan.

Sipas kësaj agjencie, bazuar në informacionin e dërguar nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile në Bruksel, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, të premten, më 22 nëntor, priten reshje “intensive” deri “shumë intensive” në veri të vendit dhe kryeqytet.

“Mot me reshje të dendura pritet gjatë ditëve në vijim, kryesisht në veri të vendit. Bazuar në informacionin e dërguar nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile në Bruksel, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, të premten, më 22 Nëntor, priten reshje “intensive” deri “shumë intensive” në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan. Në qarqet e tjera priten reshje mesatare, të cilat lokalisht mund të arrijnë deri në nivelin “intensive”.”

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, si dhe të institucioneve që administrojnë hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.

Agjencia u bën thirrje prefekturave dhe bashkive të mobilizojnë strukturat për menaxhimin e emergjencave civile dhe të monitorojnë situatën në zonat me rrezik më të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë