Gazeta Si – Një telefonatë e shkurtër, me një mesazh kërcënues për njëzet gjeneralë iranianë, të cilëve u kërkohej të largoheshin menjëherë. Përndryshe, do të përfundonin si shumë oficerë të tjerë që janë zhdukur nga sulmet izraelite.
Operacioni i Mossadit – i zbuluar në një ekskluzivitet nga “Washington Post” – nisi menjëherë pas valës së parë të goditjeve, sulme të ashpra ndaj qendrave të komandës në Teheran.
Shënjestra mori një telefonatë në celular dhe bashkëbiseduesi i komunikoi kushtet: ke 12 orë kohë për të regjistruar një video dhe për t’u distancuar nga regjimi.
Në atë rast do të jesh i sigurt, bashkë me gjithë familjen tënde. Gjenerali – sipas telefonuesit – duhej të dërgonte “klipin” në Telegram, një video që me siguri do të shpërndahej në rrjet.
Për të shtuar peshën e ultimatumit, agjenti shtoi një fjali kyçe: “Po të telefonoj nga vendi që vetëm dy orë më parë i çoi në ferr njëri pas tjetrit Bagherin, Salamin, Shamkanin”.
Një listë me komandantë të Gardës Revolucionare apo figura politike që janë eliminuar gjatë nisjes së operacionit “Rising Lion”.
Dy të parët janë vrarë në të vërtetë, ndërsa i treti ka mbetur rëndë i plagosur, por “u shfaq përsëri” me një deklaratë sfiduese.
Artikulli i gazetës amerikane, thekson se nuk dihet nëse gjenerali e regjistroi mesazhin dhe e dërgoi atë, ndërkohë që konfirmon se ai është ende gjallë.
Po ashtu, nuk është e qartë se kush janë figurat e tjera të përfshira në këtë veprim që synonte të shkaktonte kaos në hierarkinë ushtarake, të ushqente mosbesimin dhe të frikësonte ata që mund të zëvendësonin të vrarët.
Izraeli, në fakt, ka arritur të eliminojë të paktën dy “zëvendësues”, të cilët kanë qëndruar në detyrë për vetëm pak ditë.
Historia është një faqe e dyfishtë lufte psikologjike. E para përfaqësohet nga vetë manovra, e dyta nga përhapja e lajmit.
Me një element të tretë që ndërthur propagandën me aftësinë e inteligjencës për të goditur sërish në një terren ku shërbimet izraelite kanë treguar se mund të veprojnë të pashqetësuara.
Marrë nga: “Corriere della Sera”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.