Shendet

Mosrealizimi i planit mujor për Check-up, mjekëve të familjes u hiqen ditët e punës

Check-up penalizon mjekët e familjes, ankesat: Heqje e ditëve të punës për shkak të mosrealizimit të planit mujor, por në shtet nuk kryhet as Vit D, D dimer dhe PCR.

Nga Gazeta Si- Mjekë të familjes ankohen se po penalizohen për mungesën e realizimit të planit mujor të vendosur nga drejtoritë rajonale shëndetësore për numrin e check-upeve në pacientët kronikë që mbulojnë në territorin e tyre.

Nga penalitetet nuk kanë shpëtuar as vetë drejtuesit e qendrave shëndetësore, sic është një rast në Tiranë ku mjeku ankohet se i janë hequr 3 ditë pune. Po ashtu dhe personelit të tij që nuk ka plotësuar numrin e caktuar.

“Nuk mund të penalizohem unë për kryerjen e check-upit, kur koncesionari ka personelin e tij për këtë procedurë. Ndonëse ne si qendër shëndetësore i kemi dhënë ambientet, përgjegjësinë për numrin e analizave të check-up e mban stafi i caktuar për këtë. Më duket e padrejtë ndaj jam ankuar më lart për situatën e krijuar”, thotë mjeku që nuk do të citohet me emër për shkak të reagimeve që mund të shkaktojnë deklaratat e tij tek eprorët.

Situata e krijuar me check-up nuk është e re. Penalitetet janë prej kohësh si ndëshkim për mjekët e familjes, që në kushtet kur duhet të presin e përcjellin dhjetëra pacientë përditë, mbajnë si peshë dhe detyrimin e orientimit të pacientit drejt stafit të check-up.

Sipas mjekëve të familjes, analizat e check-up vërtet japin panoramën e përgjithshme të gjendjes shëndetësore të pacientit, por problem mbeten lloje analizash që nuk i përfshin check-up. Madje sipas tyre, këto analiza nuk ofrohen as në laboratorët e poliklinikave të mëdha, siç janë vitamina D që përcakton gjendjen e sistemit imunitar, D Dimer që është shumë e rëndësishme të dihen parametrat sidomos në periudha virale sic ishte sezoni i gripit nëntor-shkurt.

“Në kushtet kur unë pacientit nuk i sugjeroj dot të bëjë në shtet analizat e D Dimer, Vitaminës D dhe PCR, tre më të rëndësishmet sidomos për të moshuarit, si mund ti them bëj check-up para këtyre. Unë ja rekomandoj check-up në një situatë kur nuk është prekur nga sëmundje, virozat, pasi të tjera analiza më duhen më herët sesa ky kontrolli rutinë që më kërkohet të realizoj”, thotë një mjeke për Gazetasi.al, e cila shton se për të gjitha këto analiza, pacienti duhet të paguajë në privat, pasi shteti nuk i mbulon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë