Matt Flynn-Në shumë vende të botës, njerëzit tanimë, po jetojnë më gjatë se gjeneratat paraardhëse. Rritja e jetëgjatësisë është rezultat i përparimeve në mjekësi, përmirësimi i standardeve dhe mënyrave më të shëndetshme të jetesës. Ndërsa në terma shoqërorë ky fenomen është për t’u festuar, a është fitimprurëse në terma ekonomikë? Rritja e popullsisë në moshë të vjetër a i shkakton vuajtje shoqërisë në aspektin ekonomik apo njerëzit e moshuar mund të mobilizohen për të rritur produktivitetin e komuniteteve në të cilat punojnë dhe jetojnë?
Një analizë me të dhëna ndërkombëtare prej 35 vendeve, e publikuar nga International Longevity Centre, siguron më shumë dëshmi në favor të një “dividenti të jetëgjatësisë”. Autorët zbuluan se, ndërsa rritet jetëgjatësia, njëjtë rritet edhe “prodhimi për orë pune, për punëtor dhe për frymë”.
Ende, pjesa më e madhe e debatit publik mbi moshimin është përkufizuar në terma “vuajtjeje”. Me moshimin e popullsisë, qeveritë janë shqetësuar se si një popullsi në rritje e njerëzve në pension do të rrisë stresin dhe tensionin në sistemin e pensioneve dhe në sektorin ne kujdesit social. Politikat për të rritur moshën e pensioneve shtetërore, për të zvogëluar të drejtat dhe për të shkuar drejt skemave të pensioneve të kontributeve të përcaktuara nuk kanë për qëllim aq shumë reduktimin e barrës së rritjes së jetëgjatësisë, por duke zhvendosur koston e saj nga shteti dhe punëdhënësit tek individi.

Punonjësit shqetësohen për barrën e menaxhimit të një numri në rritje të të punësuarve të vjetër në moshë të cilët nuk e përballojnë dot pensnionin, ndërkohë që janë fizikisht të paaftë për disa procese në krahasim me kolegët e tyre të rinj, dhe perceptohen si më pak të adaptueshëm ndaj ndryshimeve në punë. Shumë njerëz janë të frikësuar se barra e jetëgjatësisë mund të bëjë pensionimin të papërballueshëm.
Në Mbretërinë e Bashkuar, një e treta e pensionistëve kanë pensionin shtetëror si të vetmin burim të ardhurash. Duke pasur parasysh se pension i ri i plotë shtetëror (aktualisht 164,35 £ në javë për një person të vetëm) do të duhet të rritet aq shumë saqë të arrijë pragun absolut të varfërisë prej 296 paund në javë për familje – pikë ku përcaktohet plotësimi i nevojave bazë – përballueshmëria e daljes në pension është një shqetësim i rëndësishëm për shumë njerëz.
Edhe të rinjtë shqetësohen për kostot e moshimit. Nëse mosha e daljes në pension mbetet aty ku është, gjeneratat e ardhshme do të jenë përgjegjëse për mbështetjen e një numri pensionistësh në rritjepërmes rritjes së taksave dhe kontributeve për pension. Nëse njerëzit e moshuar e shtyjnë daljen në pension (në BE burrat alin në pension në moshën 63.4 vjeç në 2016 krahasuar me 62 vjeç 10 vite më parë), të rinjtë shqetësohen për tejpopullimin tregut të punës.
Por ka një perspektivë alternative e cila konsideron popullatën e moshuar si një fenomen që mund të rrisë produktivitetin dhe të paguajë dividentin shoqëror. Punonjësit e vjetër kanë aftësi formale, teknike dhe të heshtura që i kanë akumuluar gjatë eksperiencës së gjatë në punë. Punëdhënësit në sektorët që po përballen me mungesa të fuqisë punëtore po kërkojnë të fitojnë aftësi të tilla përmes programeve si praktika profesionale, etj.
Punëtorët e moshuar gjithashtu mund të ndihmojnë të rinjtë të gjejnë rrugët për punë të sigurt dhe të mirëpaguar përmes mentorimit dhe ndarjes së punëve. Shumë njerëz të moshuar gjithashtu po kontribuojnë në mirëqenien sociale duke marrë role të kujdesshme siç janë kujdesi për mbesat e nipërit dhe prindërit e moshuar.
Merrini ata kur janë të moshuar
Pavarësisht se jetëgjatësia është një barrë apo një divident varet në masën në të cilën shoqëritë përgatiten për sfidat e plakjes së popullsisë dhe planifikojnë të shfrytëzojnë përfitimet. Një nga përfitimet më të prekshme të jetesës dhe punës më të gjatë është mbajtja e aftësive dhe njohurive. Sidoqoftë, punëdhënësit nuk e dinë gjithmonë se si të përdorin asetet e tilla, veçanërisht kur vijnë nga jashtë vendeve të tyre të punës.
Për shembull, unë po punoj për një projekt me Officers’ Association mbi përvojat e zyrtarëve të vjetër ushtarakë në punën civile. Punëdhënësit flasin pozitivisht për oficerët, por shpesh nuk janë të sigurt se si të përdorin aftësitë e fituara nëpërmjet shërbimit ushtarak. Por zyrtarët kanë aftësi në udhëheqje, organizim pune dhe vendimmarrje, të cilat mund të zbatohen për një gamë të gjerë të punëve.
Ekonomitë që po e kthejnë jetëgjatësinë në dividentë për tu paguar, janë ato në të cilat qeveritë, punëdhënësit dhe sindikatat e punës po punojnë në një mënyrë të koordinuar për ta shfrytëzuar fuqinë punëtore më të vjetër si burim. Në Japoni, për shembull, qeveria ka investuar në Qendrat e Burimeve Njerëzore për të ndihmuar njerëzit e moshuar të fitojnë punësim në sektorët që kanë të meta të aftësive. Trajnimi dhe mësimi ndër gjenerata është duke u lehtësuar në vende si Hong Kongu përmes Akademive të të Moshuarve që inkurajojnë njerëzit e moshuar të marrin pjesë në arsim. Në të gjithë Europën, punëdhënësit dhe sindikatat po bashkëpunojnë, me ndihmën e fondeve të BE-së, për të zhvilluar, pilotuar dhe vendosur metoda të reja për menaxhimin e moshës duke ridizajnuar punën.
Dividenti i jetëgjatësisë, si shumica e përfitimeve ekonomike, është i arritshëm por duhet të punohet. Mobilizimi i shkathtësive të punëtorëve të moshuar, zgjerimi i forcave të punës dhe nxitja e solidaritetit ndër gjenerata do të thotë që rritja e jetëgjatësisë mund të jetë e mirë shoqërisht dhe ekonomikisht.
*Burimi: World Economic Forum
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.