Shendet

Kriza e vetmisë po i ‘çmend’ të moshuarit shqiptarë

Nga Gazeta Si- Në Shqipëri, problemet e shëndetit mendor tek moshat e treta janë të pranishme dhe këtë e tregojnë shtrimet në spitalin psikiatrik, ku mjekët psikiatër evidentojnë më së shumti sëmundje të skizofrenisë apo psikozat, që sipas tyre kanë zanafillën shumë më herët.

Për Gazetasi.al, mjekë psikiatër në Tiranë thonë se shpesh herë moshat e treta paraqiten në gjendje të rëndë për shkak se asnjëherë nuk janë mjekuar apo kryer terapi tek psikologu.

“Është shumë  e vështirë të kryesh seanca me moshën e tretë. Një rast kam patur në terapi dhe ishte një zonjë e moshuar e cila kishte pësuar tronditje emocionale pasi kishte zbuluar tradhtinë e bashkëshortit. Ajo erdhi vetëm një herë dhe nuk u rikthye më në terapi”, thotë psikologia Eksena Basko.

Psikologia Eksena Basko. Gazeta Si, mars, 2025.

Sipas saj, momentet e largimit të fëmijëve nga familja nëpërmjet emigrimit, gjë e cila rriti mundësinë që familja të zvogëlohej në numër, ka bërë që prindërit e moshës së mesme por edhe të tretë të përballen me frikën e vetmisë dhe mospasjes së vëmendjes së lartë njerëzore që kishin më parë.

Psikologët konstatojnë se në shumë zona në Shqipëri, të moshuarit tashmë po e vuajnë braktisjen dhe lënien vetëm nga fëmijët si në kushtet e emigracionit por edhe në kushtet e një jete të ngarkuar dhe intensive, apo dhe nga mungesa e institucioneve të duhura që të kujdesen për këtë nevojë të re sociale dhe njerëzore.

“Tronditjen e parë si shoqëri e morëm kur filluan të gjykonim ashpër “braktisjet” e para të prindërve në institucione të tilla si azile. Këto ishin të dhënat e para që treguan se mosha e tretë do të përballej me një braktisje dhe indiference të madhe nga fëmijët e tyre.

Vetmia si proces është i vështirë në kontekstin njerëzor, por ajo që e bën edhe më të vështirë është frika ekstreme që njerëzit zhvillojnë nga vetmia”, thotë psikologia, duke shtuar se kjo frikë është një ndër frikërat që dominon tepër në moshën e tretë.

Përveç frikës së vetmisë si element që shoqëron natyrën njerëzore gjatë moshimit, ajo që evidentohet në braktisjen, indiferencën, neglizhimin, dhe shumë forma të tjera të indiferencës emocionale ndaj moshës së tretë janë specifikat e shëndetit mendor (ato që dominojnë janë sëmundjet neurologjike, depresioni dhe çrregullimet psikiatrike që mund të kenë patur elemente sjellore edhe më herët), marrëdhëniet e vështira që janë krijuar gjatë marrëdhënies prind-fëmijë, konfliktet ekonomike dhe pasurore, inate dhe zemërime të natyrave të ndryshme për shkak të dhunës dhe abuzimit psikologjik që mund të kenë ndodhur gjatë fëmijërisë apo dhe konfliktet për shkak të ndërhyrjes së prindërve në jetën bashkëshortore të fëmijëve të tyre.

“Të gjithë këta faktorë social-psikologjik-ekonomik dhe institucional kanë bërë që sot mosha e tretë të kthehet në një dilemë të madhe strehimi dhe kujdesi nga ana e shërbimeve sociale”, thonë psikologët.

Sipas tyre, shëndeti i mendjes është koncept sa i ri po aq edhe i vështirë për moshën e tretë si në raport me identifikimin dhe kuptueshmërinë e asaj që mund ti shqetësojë por edhe i vështirë për nga pranimi i shërbimeve të specializuar.

Situatat bëhen të vështira kur të moshuarit dëbohen nga shtëpia, u merret pasuria për shkak të pamundësisë psikologjike, kur nuk kanë mbështetje ekonomike të asnjë lloj forme. Sa më ekstreme të jenë kushtet ekonomike aq më e vështirë bëhet puna në raport me shëndetin e mendjes.

“Në moshat e treta vështirësia e shëndetit mendor bëhet edhe më e komplikuar kur bashkëshoqërohen me sëmundje kronike, sëmundje terminale, sëmundje që i kufizojnë edhe fizikisht. E gjitha kjo panoramë psikologjike dhe sociale ka kohë që i ka dhënë shenjat dhe problemet e menaxhimit njerëzorë, por tashmë jemi në kushtet edhe të një krize sociale për shkak të rritjes së lartë të numrit dhe mospasjes së institucioneve dhe shërbimeve të specializuara për këto mosha”, thonë ekspertët e shëndetit mendor.

Kapacitetet në spital të kufizuara, spitali i psikiatrisë në rikonstruksion

Nëse një person me probleme të shëndetit mendor do të kishte nevojë për trajtim të specializuar në spitalin e Psikiatrisë, ai duhet të shtrohet në Elbasan, pasi spitali i Psikiatrisë në Tiranë po i nënshtrohet rikonstruksionit.

Spitali i Elbasanit do të duhet të presë një numër jo të vogël pacientësh nga qarku i Tiranës dhe Durrësit dhe kjo sipas mjekëve psikiatër ka krijuar probleme me pacientët të cilët refuzojnë të shkojnë në spital.

“Refuzimi lidhet jo vetëm me famën e keqe që ka patur në shoqërinë shqiptare spitali psikiatrik në Elbasan por dhe largësia prej familjarëve. Me të moshuarit është pothuajse e pamundur të flasësh, pasi ata kërkojnë me ngulm të kthehen në shtëpi”, thonë mjekët.

E gjithë barra e problemeve të shëndetit mendor tek moshat e treta rëndon mbi familjarët, që në mungesë të qendrave rezidente apo shërbimeve në komunitet, detyrohen të çojnë prindërit në spital.

Mjekët bëjnë apel për më shumë vëmendje e kujdes ndaj moshës së tretë, me qëllim reduktimin sa më shpejt të problemeve që sjell mosha, si dhe më shumë vëmendje e dashuri ndaj prindërve e gjyshërve, pasi depresioni dhe kriza e vetmisë janë rreziku që kanos më së shumti këtë kategori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë