Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbrojtur vendimin e tij për të mos dekretuar shkarkimin e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati pas ndryshimeve në qeveri fundvitin e shkuar.
Kreu i shtetit ka argumentuar se Kushtetuta e lejon që të përmbushë të gjitha detyrimet ligjore për dekretimin dhe emërimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Duke u ndaluar te shkarkimi i Bushatit, Meta nënvizoi se bëhet fjalë për një post të rëndësishëm dhe delikat.
“Posti i ministrit të Jashtëm është një pozicion i rëndësishëm dhe delikat, për arsyen e vetë përfshirjes së Shqipërisë në trojkën e OSBE-së, ndaj duhet të ketë një lloj vazhdimësie dhe Shqipëria nuk mund të jetë asnjë sekondë pa ministër të Jashtëm, – tha Meta në emisionin “A show”. – Nuk është çështje Vettingu ndaj emërimit të ministrit të ri, por ky proces do të kërkojë kohën e tij që nuk varet nga unë, por nga përgjigja e institucioneve për ato kërkesa që i kemi dërguar”.
Meta pohoi se marrëdhënia e tij me ministrat ka qenë dhe është korrekte, duke shtuar se institucioni i Presidencës, “ka qenë në mbështetje të ministrit të Jashtëm për të përmbushur ato detyra të vështira apo delikate, si integrimi europian dhe detyrimet ndaj NATO-s”.
“Ne do bëjmë të gjitha kërkimet dhe verifikimet tona për të gjithë ministrat. Nuk ka arsye pse Rama të reagojë. Ne biseduam bashkë këtu në Presidencë, nuk kam asnjë ankesë ndaj sjelljes së kryeministrit… Është bashkëpunues me mua, nuk ka momente servilizmi nga ana e tij, takimet janë tepër korrekte”.
Presidenti më tej sqaron se shqetësimi i tij i vetëm pas shkarkimit të ministrave, është e ardhmja e Shqipërisë drejt integrimit në BE.
“Ajo që më shqetëson në këtë fillim janari është se në këto 6-7 muaj s’kemi atë klimë përgjegjshmërie mes aktorëve kryesore, të qeverisë e opozitës dhe funksionimit të Kuvendit për të dhënë ato garanci para partnerëve ndërkokombëtarë se Shqipëria do mund të çelë negociatat në qershor”.
Sa i takon protestave të studentëve, Meta i clësoi ato si “një lajm të mirë. Shqipëria nuk ka vuajtur nga protestat, por nga largimi i njerëzve nga vendi, protestat i shërbejnë vendit për të përmirësuar qeverisjen dhe që të zgjojnë ndërgjegjen qytetare për kërkesat e tyre për një jetë të mirë”.
I pyetur nëse Presidenti ndikohet nga bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, për të marrë vendime në favor apo kundër opozitës, Meta u përgjigj: “Monika ka karrierën e saj që është e jashtëzakonshme, të gjithë ata që na njohin, thonë se jemi dy njerëz të ndryshëm edhe pse kemi një familje, por kemi dy agjenda të ndryshme, që përplasen dhe secili ka rrugën e tij, – nënvizoi kryetari i shtetit. – Ne prej kohësh kemi pasur dhe kemi mendime të ndryshme politike, por për shumë çështje koha i ka dhënë të drejtë asaj… Por, vendimet si president, unë i marr si rezultat i bindjes sime, në përputhje me Kushtetutën dhe i pandikuar nga asgjë”.
Në lidhje me ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Meta shpjegoi se nuk beson te shkëmbimi i territoreve, duke thënë se është diçka shqetësuese dhe e rrezikshme në Ballkan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




