Bordi Editorial – Zgjedhja e Ilir Metës si president me votat e socialistëve u duk si lëvizje e zgjuar e PS-së, duke menduar se do ta “bllokonin” politikisht ish-aleatin e tyre.
Por, ky “izolim” nuk u llogarit mirë, pasi Meta që prej zgjedhjes si kryetar i shtetit po vepron me një stof tjetër, ku veç kostumit presidencial, me vendimet apo qëndrimet që po mban, po tregon se ende nuk e ka hequr ende atë politik.
Konflikti i parë mes mazhorancës socialiste dhe presidentit do të shënohej pikërisht 1 vit më parë me propozimin e kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar shefin e Shërbimit Sekret, Visho Ajazi Lika dhe për të emëruar në vend të tij, nënkryetarin e SHISH, Helidon Bendon.
Në atë kohë, 30 tetor 2017, Kryeministria do të njoftonte publikisht se Edi Rama pati një takim 30-minutësh me Presidentin e Republikës, ku paraqiti propozimin për lirim të drejtorit të Shërbimit Informativ, Visho Ajazi dhe emërim në këtë detyrë të zv/drejtorit të Shërbimit Informativ, Helidon Bendo. Sipas Kryeministrisë, lirimi nga detyra e Visho Ajazit u bë pasi ai vetë kërkoi dorëheqjen, çka Rama e kishte mirëpritur.
Pikërisht, ky do të ishte propozimi i parë i mazhorancës socialiste që do ta vendoste në provë Metën si president, menjëherë pas zgjedhjes në krye të shtetit shqiptar. Presidenti nuk pranoi që të dekretonte Bendon, duke e kthyer në një çështje serioze. Pas shkarkimit të shefit të SHISH, ai mbajti pezull për një vit propozimin e kryeministrit, duke deklaruar si argument se nuk kishte krijuar bindjen dhe vlerësimin për punën e të propozuarit për ta dekretuar në krye të SHISH.
“Duhet të kemi në konsideratë se një vendimmarrje e tillë është shumë e rëndësishme, e cila kërkon kohë. Presidenti duhet të jetë i bindur se një vendimmarrje përfundimtare siguron një institucion kaq të rëndësishëm të sigurisë kombëtare”, do të deklaronte Meta më 11 dhjetor të 2017.
Ndërsa, kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj se nuk do të tërhiqej dhe se propozimi i tij për kreun e SHISH do të qëndrojë mbi tavolinën e presidentit katër vite të mandatit qeverisës, derisa presidenti të bindej për ta firmosur. Këtë përplasje me presidentin, Rama e zgjidhi, duke i dhënë Bendos kompetencat e shefit të SHISH.
Në një intervistë më të fundit, kreu i shtetit do të deklaronte se nuk i kishte pëlqyer mënyra sesi ishte paraqitur kërkesa për largimin e Likës si kryetar i SHISH. “Rrethanat sesi u bë dorëheqja e z. Ajazi, të cilat sipas vlerësimit tim kanë qenë një dorëheqje e papritur, e paimponuar dhe jokorrekte, sepse dorëheqja i jepet presidentit, sepse emërohet nga presidenti dekreti. Megjithatë, unë vetëm për faktin, sepse ai nuk meritonte për këtë sjellje një dekret tjetër nga presidenti apo nga Presidenca, meqenëse dekretin e parë ia kishte dhënë presidenti i mëparshëm, por unë ia kisha konfirmuar që ai do të vazhdonte detyrën vetëm me një kusht: të vazhdonte luftën kundër krimit, drogës dhe asgjë tjetër. Dorëheqja që ndodhi ishte një dorëheqje që nuk më ka pëlqyer për gjithë mënyrën sesi ka ndodhur”, do të deklaronte Meta disa ditë më parë.
Ky konflikti i parë në marrëdhëniet institucionale mes Kryeministrisë dhe Presidencës do të merrte fund vetëm pas një viti, kur presidenti do të bindej se Bendo ishte i duhuri në këtë institucion, duke firmosur dekretin vetëm në datën 6 nëntor 2018.
Përplasja mes presidentit dhe mazhorancës do të vijonte edhe me kthimin e ligjeve për rishqyrtim nga ana e Kuvendit, si ai “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”; “Për tatimin mbi të ardhurat”, si dhe për nismën për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjen e një godine të re.
Ligji për Teatrin do t’i kthehej dy herë parlamentit për shqyrtim, duke përbërë kështu një precedent sa i përket natyrës së kthimit të ligjeve. Mazhoranca do të pranonte kërkesën e parë për rishqyrtim të ligjit, por sa i përket dekretit të dytë, Kuvendi do ta rrëzonte presidentin në seancën e 24 tetorit.
Por, konflikti mes Ramës dhe Metës do të kapte majat pikërisht në çështjen e emërimit të ministrit të Brendshëm. Presidenti refuzoi të dekretonte Sandër Lleshajn në këtë post.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, ishte kjo arsyeja e refuzimit të këtij propozimi, duke rritur në maksimum përplasjet mes mazhorancës dhe kreut të shtetit.
Konflikti më i fundit vjen pikërisht në një kohë kur Ministria e Brendshme kishte ndërmarrë operacionet “Forca e Ligjit” për të arrestuar bandat dhe anëtarët e grupeve kriminale, në bashkëpunim me shërbimet e huaja partnere.
Këtij konflikti të paprecedentë në historinë e marrëdhënieve ndërinstitucionale, Rama iu kundërpërgjigj, duke e emëruar Sandër Lleshajn si zëvendësministër të Brendshëm, duke i dhënë kompetenca si ministër. Por, një “gradim” i tillë i gjeneralit, duke ia deleguar kompetencat vlerësohet si jashtë kornizës ligjore, pasi një e drejtë e tillë i takon ministrit. Praktika e re me “ministër të përkohshëm” apo i komanduar, pa kompetenca të plota mund ta zbehë punën e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar.
Raportit të tensionuar mes mazhorancës socialiste dhe presidentit do t’i shtohet edhe çështja e kryetarit të Kontrollit të Lartë Shtetit.
Meta ka propozuar emrin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, e cila ka kaluar procesin e Vettingut dhe si rezultat është anëtare e Këshillit të Emërimit në Drejtësi.
Votimi i Tushës në krye të KLSH-së mund të sjellë edhe një ngërç në KED, institucionit që ka për detyrë për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Një proces tashmë tejet i vonuar për krijimin e institucioneve të reja të organeve të reja të drejtësisë që do të dalin pas procesit të Vettingut që parashikon krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së.
Ndërsa, ky konflikt mes presidentit dhe mazhorancës socialiste do të vijojë edhe në të ardhmen, pasi ende nuk është zgjidhur çështja e Paktit Detar me Greqinë, ku Meta e ka bërë të qartë qëndrimin se nuk do të pranonte të firmoste për nënshkrimin e marrëveshjes me shtetin fqinj, pa qenë më parë në funksion të plotë Gjykata Kushtetuese.
Pikërisht mungesa e Gjykatës Kushtetuese, që dukej si avantazh par mazhorancën dhe Edi Ramën, duke parë ligjet dhe çështjet mbi tryezë, nga “Teatri” te kufiri me Greqinë, po kthehet në pikën e forcës për Ilir Metën. Ai po merr rolin e presidentit dhe të Gjykatës Kushtetuese, duke luajtur në dy fusha, atë të opinionit publik dhe atë të prapaskenës. Duke mos dekretuar Sandër Lleshin, duke rrëzuar dy herë ligjin e Teatrit të ri, Meta i ka dërguar një mesazh udhëheqësit të shumicës se ai nuk do të pranojë rolin e noterit ceremonial, por kërkon pjesën e tij në tepsinë e emërimeve të institucioneve kushtetuese të balancës, atyre të sigurisë apo atyre të kontrollit. Ndërsa de facto Rama mendoi se largoi duart e LSI-së nga tepsia e pushtetit, ka marrë mesazhin e presidentit se në mos dorën, Meta kërkon të ngjyejë gishtat brenda saj.
Meta si një president me staturë të fortë, puro politike, po tregon se përplasjet me Ramën do të vijojnë dhe në të ardhmen, e kjo nisur nga fakti se Shqipëria është pa një Gjykatë Kushtetuese dhe se mbi të gjitha e majta nuk i zotëron 93 votat në Parlament për t’u hakmarrë ndaj veprimeve të Metës, duke e shkarkuar atë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




