Ngjarje

‘Mos votoni kundër fëmijëve// Protestë kundër projektligjit për barazinë gjinore para Kuvendit

Nga Gazeta Si- Para nisjes së seancës plenare, ashtu siç ishte paralajmëruar, dhjetra qytetarë janë mbledhur para Kuvendit për të protestuar kundër projektligjit “Për barazinë gjinore” që pritet të miratohet sot.

Protesta është thirrur nga “Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës”.

Me pankartat “deputetë, mos votoni kundër fëmijëve”, “projektligji i barazisë gjinore, anti-familje”, “largoni duart nga fëmijët”, ata kërkojnë të mos miratohet projektligji.

Edhe pse projektligji pësoi ndryshime, duke u hequr togfjalëshat si “gjini e shumëfishtë, gjithëpërfshirje dhe diversitet”, përsëri organizatat për mbrojtjen e familjes janë kundër, pasi sipas tyre, fakti që në ligj nuk përmenden gjinitë “burrë dhe grua” lë vend për keqkuptime dhe ka hapësira për shkelje.

“Burrë-grua” është cilësuar vetëm ne nenin 4, ku tregon qartë që gjini janë vetëm 2 por kjo nuk është reflektuar në nenet e tjera.

Sipas socialistëve, ky draft është bërë për të pasur barazi gjinore dhe për të larguar diskriminimin.

Disa nga ndryshimet janë kuotat e pjesëmarrjes së barabartë gjinore në procesin e vendimmarrjes si dhe kërkohet që kuotat në institucione të jenë të barabarta për gjinitë.

Gjithashtu parashikohet eliminimi i diskriminimit për shkak të gjinisë dhe gjoba për gjuhën me ndjeshmëri gjinore.

Pastori Akil Pano tha në protestë se ky projektligj është kundërshtuar nga 98 për qind e shqiptarëve që ai e quan një ligj kriminal.

“Gjuha me ndjeshmëri gjinore nënkupton se çdo qytetar do të përballet me sanksione nga gjoba deri te burgimi se kanë futur nenet e gjuhës me ndjeshmëri gjinore”, thotë Pano, duke shtuar se njerëzve u rrezikohet liria e fjalës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë