Para

“Mos u nxeh”! Tenderi absurd për lojën nga Diaspora. Reagon Majko: Nuk merrem me tendera

Më erdhi në celular një foto dokumenti që njoftonte tenderin për 2000 copë kartonë të lojës “Mos u nxeh”! Tenderi i përkiste Ministrisë së Diasporës.

Refuzova ta bësoja; mu duk sa absurde, po aq dhe qesharake.

Pyetjet e menjëhershme që më behën ishin: pse tender për një lojë? Pse nga kjo ministri? Pse për disa qytete të Shqipërisë? Kujt i duhet kjo lojë për 7 mln lekë në këtë kohë qameti?

Dhe ndjenja e çudisë dhe e mosrrokjes së faktit vazhdon të ndjekë pa u zbehur.

Tenderi është shpallur më 30 korrik dhe e ka raportuar Qendra e Botimeve për Diasporën në varësi të ministrisë me të njëtin emër.

“Ftesa për ofertë” është me objekt “Shumëfishimin e lojës “Mos u nxeh” për 4 qytete,  me  nga 500 kopje për çdo qytet”.

Ofertuesit, pra kompanitë private, duhet të plotësojnë disa kushte, nëse do të duan që produkti i tyre të jetë fitues në tenderin e pritshëm. Operatori ekonomik ofertues, i cili do të realizojë prodhimin ose furnizimin me lojëra ‘Mos u Nxeh” duhet domosdoshmërisht të zotërojë certifikatën e cilësisë ISO 9001:2015. Në të kundër, skualifikohet. Gjithashtu, operatori ekonomik duket të provojë se ka kontrata të ngjashme me subjekte privatë ose publike. Që do të thotë se, ofertuesit duhet të tregojnë se u kanë shitur lojë “Mos u nxeh” ose të ngjashme, edhe institucioneve të tjera shtetërore.

Ftesa për ofertë nuk ishte shoqëruar me asnjë dokumentacion përkatës, siç ndodh praktika normale e procedurave të prokurimit publik.

Qendra e Botimeve për Diasporën përmes drejtoreshës Mimoza Hysa, do të sqaronte më pas se “e ka siguruar formatin e lojës nga një organizatë jo-qeveritare dhe është angazhuar ta shumëfishojë për fëmijët e Diasporës.”

Por ftesa për ofertë shkruan të zezë mbi të bardhë se 2000 copë lojët do të shpërndahen në katër qytete; Tiranë, Korcë, Shkodër, Vlorë dhe nuk kanë lidhje fare me Diasporën.

Në sqarim, Drejtoresha e Institucionit Mimoza Hysa thotë se ky është projekt e kontribut nga OJF-“Trashëgimia Kulturore pa Kufij”; por në fakt, dokumenti flet për tender me fonde publike e jo dhuratë.

Drejtoresha sqaron se  koleksioni: “E ka kush e ka”, ku bën pjesë dhe “LOJA MOS U NXEH”; është hartuar nga specialistë europian të trashëgimisë dhe të institucioneve tona zyrtare.

Dhe, se prodhimi i 2000 kartonëve “LOJA MOS U NXEH”, është miratuar si projekt shkencor, nga Këshilli i Botimeve për Diasporën.

Vetë Ministri Pandeli Majko ka reaguar përmes rrjetit social Facebook.

"PERGENJESHTRIM. Lajmi se Ministri i Shtetit për Diasporën ka bërë "tender novativ" për një lojë mos u nxeh është humor për pushuesit! Kur këtë lajm e nxjer gazeta “Tema” situata bëhet serioze."- shkruan ministri Majko.

"Për informacion, Ministri i Shtetit për Diasporën nuk ka buxhet ndaj ka “fatin" te mos merret me tendera. Agjencitë përgjegjëse për diasporën (në rastin konkret Qendra e Botimeve për Diasporën) e menxhojnë buxhetin e tyre mbi vendimarrje te Këshillave drejtues të cilat përbëhen nga përfaqësues nga ministri te ndryshme.

Për “lodrën” dhe “lodërtarët" e lojës në fjalë Qendra e Botimeve ka dhënë një sqarim publik qe prej katër ditësh në faqen e saj.

Loja e “novative" është vec një program plotësues i mësimdhënies në diasporë për fëmijët.

Me sa duket, ja vlen të organizohet edhe një lojë tjetër “MOS U MERZIT MOTER”, shkruan Majko.

Që tenderi të ishte bërë nga ndonjë bashki në mënyrë serioze për të një alternativë më tepër për të moshuarit në këto ditë pandemie, do ishte disi i justifikuar, por Ministria e Diasporës, të harxhojë 7 mln lekë pa asnjë sqarim të mundshëm se ku dhe përse do të harxhohen këto lekë shqiptarësh është i papërshkrueshëm me fjalë.

Në kohë kovidiane, ku situata epidemiologjike në vend është përkeqësuar, situate globale është e paqartë dhe e pasigurtë si nga ana shëndetësore, ashtu edhe ekonomiko-financiare, ku buxheti në Shqipëri është arrnuar për të tretën herë dhe ndryshimet e fundit parashikojnë një tkurrje ekonomike prej 4,3 % dhe një borxh 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kur Standard & Poor’s paralajmëroi një ulje të renditjes së Shqipërisë nga organizata vitin e ardhshëm pikërisht për borxhin e lartë dhe PPP-të, Ministria e Diasporës paraqitet me një tender absurd…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë