Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – u bëri thirrje serbëve nga veriu i vendit që t’i “bojkotojnë plotësisht” zgjedhjet lokale, të planifikuara për të dielën, më 23 prill.
Në deklaratë thuhet se kjo parti i bën thirrje “të gjithë popullit serb” që të qëndrojë i qetë të dielën dhe të mos bjerë në “provokimet e regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”, qëllim i vetëm i të cilit, siç tha, është “dëbimi i serbëve nga veriu”.
Në deklaratën e saj, po ashtu, thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron t’i pushtojë komunat e veriut të Kosovës” përmes “kryetarëve pushtues”.
“Serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm zgjedhor, që është kundër interesave të popullit serb”, tha Lista Serbe.
Të dielën e 23 prillit, zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të gjitha të banuara me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote, që të votojnë.
Lista Serbe e ka bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhje, me arsyetimin se Kosova nuk i ka plotësuar dy kushtet e saj: formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




