Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka vendosur të rikthejë në burg ish-prokurorin e Kukësit Edmond Kariqi, i cili është dënuar nga Shkalla e Parë për korrupsion.
GJKKO kishte pezulluar dënimin e tij me burg duke e vendosur në shërbim prove.
Me gjykim të shkurtuar Kariqi ishte dënuar me 2 vite e 6 muaj heqje lirie nga 3 vite e 4 muaj, por SPAK e ankimoi vendimin.
Pas këtij vendimi, ish-prokurori do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit (2 vite e 4 muaj) në burg të sigurisë së zakonshme.
Ish-prokurori u arrestua më 30 qershor të vitit 2021 në Kavajë me urdhër të SPAK, me akuzën se mori 2 mijë euro për të liruar një të burgosur.
Përmes përgjimeve, Prokuroria e Posaçme arriti të provojë se Karriqi ka marrë 2000 euro ryshfet për lehtësimin e masës së sigurisë për një të pandehur, i dënuar për drogë. Bashkë me të u arrestua dhe shoferi i tij që bënte rolin e sekserit.
Gjithçka nisi në nëntor të vitit 2019, kur në qytetin e Kukësit u arrestuan Dritan Dedja, Eraldo Braka, Elidon Koka dhe Ergis Xherri, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, të cilët u lanë të lirë nga prokurori Kariqi pas marrjes së ryshfetit. Të arrestuarit kishin futur ndërmjetës Isuf Gegën dhe Emirjan Beun, tek prokurori Kariqi për pushimin e çështjes.
Eraldo Braka dhe Dritan Dedja janë lidhur dhe kanë komunikuar me Isuf Gegën, tek i cili janë interesuar nëse kishte komunikim me prokurorin për t’i ndihmuar në lidhje me dosjen.
Gega, me detyrë sekretar në Prokurorinë e Kavajës, ka udhëtuar bashkë me Kariqin në drejtim të Kukësit, ndërsa janë dokumentuar disa takime të tjera mes tyre. Në përgjimet e SPAK, Gega del të jetë sekser, nga ku prokurori ka marrë edhe shumën e eurove.
SPAK ka dokumentuar edhe lëvizjet e këtyre dy të fundit, të cilët janë parë duke tërhequr paratë, për t’i çuar në destinacion. Pasi ka siguruar të dhëna të mjaftueshme, SPAK ka urdhëruar arrestimin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.