Gazeta Si – Një ish-punonjës i Agjencisë së Trajtimit të Pronave në Tiranë është arrestuar, si dhe janë proceduar penalisht 9 shtetas të tjerë, pasi dyshohet se kanë ofruar ryshfet për të përfituar kompensim financiar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Sipas SPAK, Ilir Kapetani dyshohet se ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” në 14 raste.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi Ilir Kapetani, me detyrë Inspektor i Shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të paktën në katërmbëdhjetë raste u ka marrë qytetarëve të ndryshëm, trashëgimtarë të ish pronarëve, shuma parashë në shkëmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ndërkohë që shtetasit D.L., Xh.V., G.T., D.D., L.A., A. H., J.Z., V.B. dhe A. G., dyshohet se kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për D.L. dhe G., si persona të dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për XH.V., G.T., D.D., L.A., A.H., J.Z. si persona të dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Ndalim i daljes jashtë shtetit” për personin nën hetim B. si person i dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Masat e sigurimit për personat e mësipërm, janë ekzekutuar ditën e sotme, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi A.G.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




