Gazeta Si - Gjykata e Elbasanit ka liruar nga paraburgimi 6 pedagogët e Universitetit të Elbasanit "Aleksandër Xhuvani", të vilët tre ditë më parë u arrestuan me bujë nga policia, pasi akuzohen se kanë marrë para në këmbim të dhënies së provimeve.
Ndërkaq, është vendosur që kjo dosje t'i kalojë SPAK-ut, për shkak të elementëve të saj, bashkëpunimit mes disa personave dhe akuzës së ngritur.
Seanca e masës së sigurisë ka zgjatur disa orë, për shkak edhe të numrit të konsiderueshëm të personave të ndaluar, 7, ndërsa një i tetë është në kërkim.
Gjyqtarja Yrfet Shkreli e ka cilësuar arrestimin si të paligjshëm nga ana e policisë. Në fund është vendosur që të gjithë pedagogët e ndaluar të lënë qelinë dhe të marrin masën e sigurisë "detyrim paraqitje".
Në burg është lënë vetëm sekseri mes studentëve dhe pedagogëve. Pedagogët që lanë qelitë janë, Ornela Bilali, 50 vjeçe, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme, Zyhra Gripshi, 37 vjeçe Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin, Adrian Shingjergji, 61 vjeç, Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore, Beatriçe Gani, 58 vjeçe Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës, Florinda Tarusha, 56 vjeçe, Lënda: Filozofi e edukimit, Monika Hodaj, 49 vjeçe, Lënda: Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme.
Në kërkim është pedagogia Edlira Gugu, Lënda: Letërsi për fëmijë. Seksesi që mbeti në qeli, është Gazmend Hodaj, 59 vjeç, i cili kishte një lokal tek Universiteti i Elbasanit dhe kryente ndërmjetësinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.