Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Tiranës ka dhënë masa sigurie për 8 persona, pesë zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe IMT-së, si dhe tre përfaqësues kompanish pasi akuzohen për punime fiktive në procesin e shembjes së pallateve në Kombinat, duke shkaktuar dëm financiar në buxhetin e bashkisë.
Hetimi nisi pas denoncimit të një qytetari, pallati i të cilit u shemb nga IMT në janar 2021 pa njoftim zyrtar. Prokuroria zbuloi se Bashkia Tiranë kishte shembur 6 objekte në janar, ndërsa në mars kishte miratuar fond për demolimin e 15 pallateve, ku u përfshinë edhe objektet që tashmë ishin shembur – duke krijuar procesverbalë dhe punime të rreme.
Sipas hetimit, përfaqësues të kompanive fituese të tenderit – “Arb&Trans-2010”, “KLAJGER Konstruksion” dhe “Maging Studio” – kanë paraqitur dokumente të falsifikuara për punime që nuk janë kryer. Po ashtu, dy punonjës të IMT-së kanë hartuar preventivë pa dalë në terren, duke u bazuar vetëm në dokumentet e Emergjencave Civile.
Prokuroria konstaton se drejtues të lartë të Emergjencave Civile – A.Ç., A.B. dhe E.G. – kanë firmosur dokumente të pavërteta, duke konsumuar veprat “Falsifikim dokumentesh” dhe “Shpërdorim detyre”.
Masat e dhëna:
Arrest shtëpie: A.Ç. (Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile), A.B. (Drejtor i Emergjencave Civile), S.Q. (specialist IMT).
Detyrim paraqitje: E.G. (Emergjencat Civile), R.R. (IMT), A.M. (mbikëqyrëse punimesh), Sh.M. dhe F.F. (përfaqësues të kompanive).
Prokuroria thekson se zyrtarët dhe kompanitë kanë falsifikuar dokumentet e demolimit, duke përfituar fonde publike për punime që, sipas hetimeve, nuk janë kryer kurrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



