Ekonomi

Moratorium për HEC-et e vegjël

Për HEC-et e vegjël do të vendoset moratorium. Këtë e bëri me dije Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2020 në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese.

Ministri Klosi tha se nga këto hidrocentrale nuk ka të fituar, vetëm të humbur, si mjedisi, turizmi dhe komunitetet përqark ku ndërtohen.

"Ne jemi në një fazë moratoriumi të pashpallur për HECET nën 2 mega. Do të kontrollohen ata që janë të ndërtuar aktualisht dhe do të bëhet një masterplan se ku mund të ndërtohen në të ardhmen këta HECE", u shpreh Klosi.

Një gjë të tillë në muajin janar të këtij viti do ta deklaronte edhe Ministrja Balluku. Ajo do të premtonte se do të rishikonte lejet për rreth 400 HEC-e të vegjël, të liçensuar nga qeveritë shqiptare “Berisha” e “Rama”, të cilat janë përdorur si argument pë rritjen ekonomike dhe fuqizimin e tregut hidroenergjitik në Shqipëri.

Sipas OKB-së, Shqipëria është një nga dy vendet europiane që duhet të diversifikojë urgjent tregun e energjisë, pasi e ka atë të varur tërësisht nga burimet hidrike.

Në kushtet e ndryshimeve klimaterike dhe shterjes së rezervave ujore, Shqipëria është duke investuar në drejtim të kundërt të prioriteteve që i ka caktuar OKB.

Ajo duhet të diversifikojë burimet e energjisë, duke investuar në parqe eulike dhe ato solare, apo qoftë dhe termocentrale.

Ideja e vazhdimit të licensimit të HEC-eve të vegjël është tërësisht në kundërshtim me këtë prirje.

Së dyti, Bashkimi Europian i ka vënë kusht Shqipërisë për të liberalizuar tregun e energjisë. Afatin e parë e ka pasur në vitin 2018. HEC-et e vegjël vazhdojnë mbështeten mbi çmimin e fiksuar të blerjes së energjisë nga shteti, duke vrarë rregullat e tregut të lirë.
Gjë që e kërkuan edhe deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, që të hiqet statusi preferencial për investitorët e HEC-ve të vegjël në lidhje me garantimin me çmim të fiksuar të energjisë.

Dhjetëra protesta jo vetëm në Tiranë, por nga Vjosa dhe deri në Valbonë, janë organizuar gjatë këtyre viteve të fundit. Aktivistë të mjedisit prej vitesh e kanë ngritur shqetësimin se këto impiante hidrike janë jo vetëm pa leverdi për ekonominë shqiptare, por edhe të dëmshëm dhe thelbësisht shkatërrues për ekonomitë lokale.
Organizata europiane për mbrojtjen e lumenjve “RiverWatch”, zbuloi para mëse një viti se në “Ballkan janë planifikuar më shumë se 2800 projekte hidroenergjetike, 187 prej tyre janë në ndërtim dhe mbi 1000 HEC-e pritet të jenë brenda zonave të mbrojtura”.
Fushata, koncerte dhe protesta pa fund kanë organizuar në Shqipëri aktivistët e mjedisit, duke kërkuar zhbërjen e hidrocentraleve të dhëna pa kriter nga qeveritë në dy dekadat e fundit. Vetëm vitin e kaluar plani për hidrocentrale në Osum u anulua nga qeveria, pasi u zbuluan shkelje në mënyrën e marrjes së lejes nga kompania.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë