Futboll

Morati i kthehet ‘Calciopoli’-it: Turp! Duhej të fitonte Juve, ose Milani!

Gazeta Si – Nga ‘Calciopoli’ te prapaskenat e blerjes se Interit, nga rivaliteti Ibrahimoviç-Kambiaso te propozimet për kryebashkiak i Milanos. Në një intervistë për ‘Corriere della Sera’ Masimo Morati, ish-president i Interit, rrëfen gjithçka.

“Kur bleva Interin, nuk i thashë asgjë Milit, – tregon Morati, presidenti zikaltër në periudhën 1995-2013. – Ajo e mori vesh nga televizori. Urdhërova të bllokoheshin ashensorët, kisha frikë se vinte në zyrë dhe më ndalonte. Pastaj shkova në shtëpi, nuk gjeta asnjeri dhe bëra gëzuar me kamarieren”.
Sa i ka kushtuar Interi? “Nuk e di sa, nuk do ta thosha. Futbolli nuk është biznes, është pasion dhe pasioni nuk ka çmim”, – thotë Morati.

Masimo Morati, ish-president i Interit. Gazeta Si, 29 tetor 2022

Pastaj tema e shumëpërfolur e ‘Calciopoli’-t: “E di që juventinët do të inatosen, por ai titull na takonte ne. Do të ishte shpërblimi minimal për vjedhjet që na u bënë. Moxhi? Është e vërtetë që donte të vinte tek Interi. Nuk kam thënë kurrë që nuk e doja, por gjithsesi nuk do ta kisha marrë. Pse? Sepse Seria A ishte e manipuluar dhe ne ishim vitkima.

Duhej të fitonte Juventusi dhe nëse nuk fitonte Juventusi, i takonte Milanit pastaj. Një turp, pandershmëria më e madhe dhe mashtrim për ndjenjat e njerëzve”.

Ka shumë histori që tregohen për Moratin. “Më kanë propozuar për t’u bërë kryebashkiak i Milanos dhe kam refuzuar tri herë. Ndoshta kam gabuar, e kam peng, do më kishte pëlqyer”.

Rivaliteti Ibra-Kambiaso? “Flisja me lojtarët më të rëndësishëm. Zllatani më thoshte: ‘Thuaj Kambiasos që vitin tjetër bëjmë edhe pa të’. Unë qeshja. Pastaj shkoja te Kambiaso, i cili më thoshte: ‘Thuaj Ibrës që vitin tjetër bëjmë edhe pa të”.

Për të ardhmen e Interit, Morati shprehet: “Ndoshta do të vijë një fond amerikan, por kujdes me spekulimet. Futbolli nuk është krijuar për të bërë para. Amerikanët duan ta kthejnë në spektakël, shou-biznes, por nuk e di nëse në Itali është e mundur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë