Nga Luljeta Nelallari - Ikona e muzikës shqiptare, Shkurte Fejza, çoi peshë mijëra zemra në stadiumin “Air Albania” mbrëmjen e së enjtes, teksa këndoi këngën më të famshme të tifozëve kuqezi “Mora fjalë”, duke e elektrizuar atmosferën para ndeshjes mes Shqipërisë dhe Çekisë.
Kënga patriotike “Mora fjalë” që u këndua nga tifozët njëzëri në shkallët e tribunave i kushtohet komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Kjo këngë është kthyer tashmë në një “himn” sa herë luan Kombëtarja shqiptare, ndërsa vargjet e saj janë shkruar nga kompozitori i njohur, Naim Gjoshi.
Këngëtarja kosovare, Shkurte Fejza, shprehet për Gazetën “Si” se ndonëse është shumë e rrallë për këngëtarët e tjerë nga Kosova që të bashkëpunojnë me autorë nga Shqipëria, me Naim Gjoshin dhe kompozitorë të tjerë shqiptarë ajo ka një numër të madh këngësh.
“Unë që nga fillimi i karrierës sime kam bashkëpunuar me autorë nga Shqipëria. Kam qenë shumë kërkuese për këngët që do këndoja. Fillimisht nga viti 1990 kam bashkëpunuar me kompozitorin Kolë Susaj me këngën ‘Oj Kosovë nëna ime’ dhe një varg këngësh shumë të suksesshme. Pastaj më 1992 me Zef Qobën për këngën ‘Xhamadani vija-vija’ dhe disa këngë të tjera dhe pas pak vitesh edhe me Naim Gjoshin që kam një numër të madh këngësh”, shprehet këngëtarja për Gazetën “Si”.
Këngën “Mora Fjalë”, Shkurte Fejza do ta pëlqente shumë që në versionin e parë dhe vendosi që ta këndojë.
“Iniciator dhe promotor që të punohet në këtë version ishte Agim Rama nga Skënderaj që do ta editonte këngën. Këngën e transformuam plotësisht dhe e realizuam në studio të Xhevdet Gashit, i cili i dha këtë orkestracion të papërsëritshëm. Pastaj është përcjellja e jashtëzakonshme me kavall e një mjeshtri të madh të instrumenteve me frymë Shaqir Hoti, tanimë i ndjerë”, vijon më tej këngëtarja.
Suksesin e “Mora fjalë” këngëtarja ia jep autorit, kompozitorit të madh, Naim Gjoshi i cili si në tekst si në vijën muzikore i dha shpirtin këngës.
“Kënga është shumë shpirtërore. Aty ka dhembje, ka dashuri si dhe krenari kombëtare. Naimi i ka shkrirë të gjitha bashkë në mënyrën më të mirë. Kur mblidhen të gjitha bashkë, atëherë edhe japin suksesin. Unë të gjitha këto i kam ndërlidh natyrshëm me zërin tim sepse unë kur këndoj, e ndiej këngën thellë në shpirt dhe ia jap të gjitha këngës, nuk kursej asgjë nga vetja. Edhe sot kur e këndoj këngën jam në fushëbetejë me të gjitha emocionet sepse nuk di ndryshe të interpretoj”, shprehet ndër të tjera këngëtarja e njohur për Gazetën “Si”.
Mes vargjeve të tij, Naim Gjoshi i thërret komandantit legjendar të UÇK-së të çohet nga varri. Të çohet se po e thërrasin zogjtë e malit, trëndafilat, këngët, trimat, nanë lokja dhe gjithë Kosova.
Për Shkurte Fejzën sakrifica e komandantit legjendar Adem Jasharit është shembull që mund ta gjesh vetëm te heronjtë mitikë.
“Sakrifica e tij kalon edhe limitet e heronjve historikë dhe kështu do të mbetet përjetësisht në histori. Ne ia kemi dhënë edhe përjetësinë artistike heroizmit të tij”.
Për masivizimin e këngës në ditët e sotme, ajo thotë se “te këto këngë gjithmonë vjen madhështia gradualisht dhe brez pas brezi”.
Me zërin e saj ikonik, Shkurte Fejza i ka kthyer vargjet e Naim Gjoshit në një “himn” të tifozëve në çdo ndeshje ku luan Kombëtarja shqiptare.
Ajo tanimë është e bindur se “shqiptarët do ta duan këtë këngë dhe do ta përjetojnë si himn sepse edhe himnet gjithkund kështu mbesin himne”.
Interpretimi i këngës para 20 mijë shqiptarëve, këngëtares i ka përcjellë një emocion të papërshkrueshëm edhe pse mban mbi supe 50 vite karrierë.
“Atë natë në stadium isha e tëra si në ajër sepse kështu ndjehesh si në fluturim kur mbi 20 mijë zemra këndojnë me ty dhe me miliona të tjera të urojnë, kjo është madhështore. Kisha shumë emocion. Kam gjysmë shekulli karrierë të suksesshme dhe i kam dhënë kombit tim shumë hite të mëdha, por tani në këtë jubile kënga ‘Mora fjalë’ është kulmi. Kërkoj falënderim dhe respekt nga të gjithë për autorin maestro Naim Gjoshi”, vijon këngëtarja.
Ndërsa adhuruesve të saj ndër breza që e kanë mbështetur ajo u thotë: “Nëse unë jam për 50 vjet zëri juaj, edhe ju jeni fuqia e shpirtit tim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.