Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit “Moody’s” e ka vlerësuar Shqipërinë përsëri me B1 edhe për vitin 2022.
B1 përcakton ekonominë shqiptare si të qëndrueshme, duke vlerësuar se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë ishte e fortë, pasi gjatë goditjeve të tërmetit dhe pandemisë u ruajt stabiliteti makroekonomik
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me 8.5% në 2021, duke tejkaluar tashmë nivelin e PBB para tërmetit dhe pandemisë. Ndërkohë për vitin 2022, Agjencia e shikon me rënie PBB-në në Shqipëri në përkatësisht 3.4% dhe 3.6%, (nga 4.5% dhe 4.0% që e kishte më parë), për shkak të ndikimit ekonomik negativ, kryesisht indirekt, të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë.
Agjencia tregon se kërkesa e dobët e brendshme në vendin tonë dhe ulja ekonomike e vendeve që sjellin turistë në Shqipëri, janë reflektim i çmimeve/kostove më të larta të energjisë.
Agjencia parashikon që inflacioni i çmimeve të konsumit të mbetet mbi 5% në pjesën e mbetur të vitit 2022 dhe më pas të zbutet në 3.5% në fund të vitit 2023. Për vitin e plotë 2022 dhe 2023, inflacioni i çmimeve të konsumit parashikohet të jetë përkatësisht 5.3% dhe 3.8%.
“Ndërkohë, Agjencia është e opinionit se perspektiva ekonomike për 2022-2023 mbetet e rrethuar nga një paqartësi e lartë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm ushtarak Rusi-Ukrainë dhe rrezikut të një përshkallëzimi të mëtejshëm dhe/ose zgjerimit të konfliktit. Megjithatë Agjencia vlerëson se ekspozimi i Shqipërisë ndaj Rusisë prej ndërvarësisë energjetike apo tregtisë është i ulët.”
Më herët gjatë vitit, qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike prej 4% për vitin 2022, duke pranuar se do të jetë me ecuri jo aq pozitive sa në vitin 2021.
Banka e Shqipërisë parashikoi gjithashtu një ngadalësim të rritjes ekonomike për vitin 2022 dhe një inflacion mbi objektivin e përcaktuar.
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë vlerësuar në rënie ekonominë e Shqipërisë, në shifrat e 3%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



