Nga Gazeta ‘SI’- Ekonomia shqiptare vlerësohet nga Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit Moody’s përsëri me B1, perspektivë të qëndrueshme.
Agjencia thekson se rrezik i lartë fiskal momentalisht është importi i energjisë elektrike, detyrimet kontigjente të këtij sektori, kthimi i pronave të komunizmit dhe rritja e financimeve jashtë buxhetore në formën e partneriteteve publike private (PPP) që janë përdorur si instrument për rritjen e investimeve publike.
Moody’s këtë herë ndalet edhe tek rreziqet sociale, duke përmendur rënien e shpejtë të popullsisë ekonomikisht aktive, për shkak të impaktit negativ të trendeve demografike.
Parashikohet një ngadalësim i rritjes së PBB-së në 3% në 2022 dhe 1.8% në 2023. Gjithashtu, në periudhën afat-gjatë, aftësia e vendit për të mbështetur procesin e konvergjencës së të ardhurave për banorë me vendet e BE-së, që sipas saj, do të varet nga suksesi i qeverisë në zbatimin e reformave strukturore dhe rritjen e konkurrencës në raport me vendet e tjera të rajonit.
“Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë ishte e fortë dhe Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) arriti nivelet e para-pandemisë që në vitin 2021. Barra e borxhit të qeverisë, pasi u rrit ndjeshëm në 74.5 % të PBB-së në vitin 2020, rifilloi trajektoren e saj rënëse në vitin 2021. Lidhur me sektorin bankar të Shqipërisë dhe rreziqet e likuiditetit të qeverisë, pritshmëritë e Agjencisë janë se ato do të mbeten të përmbajtura. Perspektiva e qëndrueshme mbështetet gjithashtu nga pritshmëritë në vazhdimësinë e politikave, veçanërisht në kontekstin e reformave në kuadër të procesit të pranimit në BE dhe imbalancave të jashtme të moderuara”, -shkruhet në raportin për Shqipërinë.
Ajo vlerëson hapjen formale të negociatave të anëtarësimit në avantazh të Shqipërisë, sepse do të nxisë zbatimin e reformës, e cila do të mbështesë fuqinë e saj institucionale. Kjo pritet të përmirësojë edhe mjedisin e përgjithshëm të biznesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



