Ekonomi

Moody’s pret ngadalësim të ekonomisë së Shqipërisë: Kujdes me energjinë

Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit (credit rating agency) Moody’s ri-konfirmon vlerësimin aktual të Shqipërisë, “B1, me perspektivë të qëndrueshme”.

Moody’s ka rritur parashikimin për rritjen ekonomike në 2022-shin, në 3.8% nga 3.4% që ishte në prill. Por ka ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike në 2023-shin në 2.5% nga 3.6%. Ajo pret që inflacioni të mbetet i lartë në pjesën e mbetur të vitit 2022 dhe më pas të zbutet në 3.5% në fund të vitit 2023. Për vitin 2022 dhe 2023, inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit parashikohet përkatësisht në 6.7% dhe 4%.

Pritet një ngadalësim i rritjes ekonomike në vend dhe rritje e presioneve inflacioniste, për shkak të shtrenjtimit të energjisë si edhe situata e dobët ekonomike në vendet që janë destinacionet kryesore të eksportit shqiptar.

“Në veçanti, rreziqet kryesore fiskale kontingjente të Shqipërisë lidhen me importet e energjisë elektrike të lidhura me motin, detyrimet kontingjente që rrjedhin nga sektori energjetik, nga zgjidhja e kërkesave për kthimin e pronave që rrjedhin nga periudha e komunizmit dhe nga rritja e financimeve jashtë buxhetore në formën e partneriteteve publike private (PPP) që janë përdorur si instrument për rritjen e investimeve publike.”

Gjithashtu agjencia vëren si risqe të tjerë edhe riskun politik, duke reflektuar panoramën e polarizuar politike brenda vendit, si dhe riskun gjeopolitik, duke reflektuar ekspozimin e rritur të Shqipërisë ndaj rreziqeve gjeopolitike për shkak të konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës.

Në raport thuhet se parashikimet ekonomike dhe fiskale vijojnë të rrethohen nga një paqartësi e lartë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm ushtarak Rusi-Ukrainë dhe rrezikut të një përshkallëzimi dhe/ose zgjerimi të mëtejshëm të konfliktit. Gjithsesi është pozitiv fakti se varësia e Shqipërisë nga importet energjetike (naftës, gazit, etj.) prej Rusisë është e ulët. Gjithashtu edhe ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit të turizmit është relativisht i ulët ndaj Rusisë dhe Ukrainës.

Agjencia parashikon që borxhi publik ndaj PBB të vazhdojë trajektoren rënëse në 2022 dhe 2023 duke rënë respektivisht në 72.1% dhe 71.9%. Si pasojë e rritjes së borxhit dhe ndryshimit në mjedisin e normave të interesit, metrikat e përballueshmërisë së borxhit do të dobësohen disi në 2022-2023.

Moody’s vlerëson se hapja formale e negociatave të anëtarësimit është mjaft pozitive për Shqipërinë, sepse do të nxisë zbatimin e reformave dhe do të mbështesë fuqinë institucionale të vendit. Ky zhvillim do të përmirësojë mjedisin e përgjithshëm të biznesit dhe gjithashtu do të rrisë nivelet e investimeve të huaja direkte (IHD).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë