Bota

Montana bëhet shteti i parë që e ndalon TikTok-un

Montana është bërë shteti i parë amerikan që e ka ndaluar aplikacionin kinez të videove të shkurtra, TikTok.

Guvernatori i Montana-s, Greg Gianforte, ka nënshkruar dokumentin në ligj të mërkurën.

“Për të mbrojtur banorët e Montanas, të dhënat personale dhe private nga Partia Komuniste Kineze, e kam ndaluar TikTok-un në Montana”, ka thënë Gianforte, pas nënshkrimit të ligjit.

Vendimi i ri ua ndalon kompanive që të ofrojnë këtë aplikacion nga 1 janari I vitit të ardhshëm, si dhe ndalon që TikTok të operojë si biznes në këtë shtet.

Për secilën ditë që kjo platformë do të jetë e qasshme, pasi ligji të hyjë në fuqi, kompanitë që do e ofrojnë këtë shërbim do paguajnë një gjobë prej 10 mijë dollarësh. Përdoruesit nuk do të gjobiten.

Në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance, TikTok është ndaluar në pajisjet qeveritare të Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re, Britanisë, dhe Shteteve të Bashkuara.

Të gjitha këto shtete i kanë përmendur shqetësimet për sigurinë kibernetike, si arsye pse kanë marrë këto masa.

Aplikacioni ka më shumë se një miliard përdorues në gjithë botën, dhe përdoret gjerësisht në SHBA dhe Europë.

Ekzistojnë shqetësime se autoritetet kineze dhe shërbimet sekrete, mund ta përdorin aplikacionin për të mbledhur informacion nga përdoruesit, dhe të përhapin më pas ndikim.

Kompania, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto sugjerime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë