Nga Gazeta Si- Me një ekip prej 60 vëzhguesish, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qëndresa Qytetare dhe Instituti i Studimeve Politike, kanë nxjerr konkluzionet paraprake të monitorimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në 17 Bashki të vendit.
Si fillim, gjatë fushatës, si në median audiovizive dhe atë sociale u përdor një gjuhë e ashpër denigruese midis liderave partiakë dhe kandidatëve garues, me elementë të urrejtjes.
“Për rrjedhojë, ne vlerësojmë se fushata ndikoi në përkeqësimin e klimës së mosbesimit të qytetarëve tek zgjedhjet, partitë politike dhe e drejta e votës”, thuhet në raport.
Pas fushatës, vëzhguesit konstatuan raste të mos respektimit të heshtjes zgjedhore gjatë 24 orëve që i paraprinë procesit të votimit, si postime elektorale në rrjete sociale të kandidatëve të caktuar, shpërndarje të materialeve propagantistike në hapësirën publike me afishimie të billboard-ve dhe raste kur zyra elektorale janë mbajtur hapur.
Gjithashtu, edhe gjatë votimit, përfaqësues të partive politike ose kandidatë për këto zgjedhje kanë bërë deklarata që direkt ose indirekt, përmbanin mesazhe politike propaganduese.
Ndërkohë, në raportit paraprak thuhet se në ditën e votimit u shënuan disa incidente të panevojshme, që reflektojnë më shumë tensionet, keqkuptimet dhe mobesimin midis palëve politike.
Një tjetër problematikë është edhe fakti se në shumicën e rasteve, zgjedhësit nuk kanë qenë të ndërgjegjësuar për emrin e tyre në listë, mbi mënyrën e votimit, sa i përket fletës së votimit që duhet të plotësonin, si dhe hedhjen e saj në kutinë e votimit.
Në raport thuhet edhe se është parë shqetësuese se në disa nga QV të monitoruara është vërejtur prezencë e personave të paautorizuar brenda perimetrit 150 m të QV, sjellje të papërshtatshme me elementë që intimidojnë zgjedhësit nga vëzhguesit partiakë si dhe persona që qëndronin jashtë perimetrit.
“Vëzhgues partiakë në QV të monitoruara në Durrës shoqëronin zgjedhësit, u jepnin udhëzime si të votojnë si dhe merrnin role të komisionerëve në ndjekjen e procedurave të votimit. Në këto QV u vërejt prezencë e lartë personash në perimetrin e jashtëm, afër tyre si dhe vëzhgues të paakredituar brenda perimetrit”, thuhet në raport ndërkohë që edhe në QV të tjera janë parë njerëz të paautorizuar.
Në përfundim, thuhet në raport, vlerësojmë si veçanërisht shqetësuese gjetjen se, shpeshherë, vëzhgues partiakë kanë pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm me Komisionerët, për të parë nëse individë të caktuar kanë shkuar për të votuar apo jo.
“Kjo formë “bashkëpunimi” e cila vijon e përsëritur, kërkon adresimin me prioritet të nevojës për depolitizimin e të gjitha organeve të administrimit zgjedhor”, përfundon raporti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.