Mjedis

Monitorimi i gjelbërimit urban, cilat zona kanë më shumë pemë të mbjella në Tiranë

Gjelbërimi urban është një nga komponentët kryesorë mjedisorë më të rëndësishëm që ndikon në zbutjen e ndikimeve të efekteve të ndryshimeve klimatike, kryesisht në shëndetin publik dhe më pas në mirëfunksionimin e sistemit urban.

MEA (Millennium Ecosystem Assessment) i përcakton të gjitha sistemet natyrore si mjedise që ofrojnë shërbime ekosistemi të cilat janë përfitime që njerëzit apo komunitetet marrin prej këtyre mjediseve. Këto shërbime ekosistemi ndahen në 4 grupime kryesore:

Shërbime furnizuese, shërbime rregullatore, shërbime kulturore, shërbime mbështetëse.

Por cilat janë zonat më të gjelbëruara në Tiranë?

Co-Plan ka monitoruar në total një sipërfaqe prej 678 hektarësh, një sipërfaqe e ndarë në tri zona monitorimi përkatëse: A, B dhe C ku janë identifikuar 16671 lloje drurësh urbanë së bashku me hapësirat e gjelbra ekzistuese e të humbura përgjatë harkut kohor 2007-2018. Monitorimi ka filluar që në vitin 2018 me zonën A, e cila përkon me qendrën e qytetit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Zona A e cila ka një sipërfaqe monitorimi prej 88 hektarësh numëron 3164 drurë urban ose rreth 19% të të gjithë llojeve të monitoruar.

Sipas raportit, zona A ka qenë një ndër zonat më dinamike a i përket specieve të përcaktuara pasi rehabilitimi i sheshit “Skënderbej” është shoqëruar me një numër të lartë mbjelljesh, kryesisht pemë të llojit “blir” dhe “pishë”. Gjithashtu prania e parkut “Rinia” së bashku me lulishten që ndodhet përreth piramidës janë disa nga arsyet pse shumica e llojeve të të gjithë sipërfaqes së monitoruar ndodhet në këtë zonë.

Përgjatë viteve 2019-2020 monitorimi i komponentit të gjelbërimit urban ka vazhduar duke u zgjeruar më tepër në një sipërfaqe prej 134 hektarësh në zonën B. Në zonën B përfshihet gjithë zona e “Ish-Bllokut”, bulevardi “Gjergj Fishta”, hapësira rreth tregut “Çam”, fillimi i Bulevardit “Zogu I”. Në këtë zonë numërohen 3631 drurë urbanë ose rreth 22% e të gjitha llojeve të identifikuar. Zona C është monitoruar përgjatë një periudhe 8 mujore, nga qershori i vitit 2020 e deri në janar të vitit 2021. Në këtë zonë (pjesa e mbetur) janë numëruar 9876 drurë urbanë ose rreth 60% e të gjithë drurëve të monitoruar duke u bërë kështu zona me numrin më të lartë të specieve.

Ndërkohë, në raport shkruhet se qendra e Tiranës është zona ku ka më shumë pemë të mbjella, 948 të tilla duke vijuar më pas me zonën e Tregut Çam dhe përgjatë rrugës “Myslym Shyri” me 652 pemë dhe në fund zona pranë parkut të liqenit me 500 pemë.

Në raport është evidentuar fakti se zonat që konsiderohen si më të shtrenjta sa u përket çmimeve të qirasë apo dhe truallit, janë në fakt ato zona që “vuajnë” mungesën e elementeve të gjelbërimit.

Në qytetin e Tiranës janë identifikuar 83 lloje të ndryshme të drurëve urbanë, përkatësisht të pozicionuara përgjatë trotuareve të akseve rrugore kryesore.

Nga monitorimi dhe llogaritjet e çdo druri urban të përfshirë në të gjitha zonat e monitoruara, çlirohen 2131.38 ton/vit O2 dhe “sekuestrohet” një sasi prej 1639.14 ton\vit CO2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë