Drejtësia

Monika Kryemadhi si Berisha: SPAK dështoi, nuk u krijua për të bërë luftë politike  

Gazeta Si – Edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka dalë në mbështetje të deklaratave të kreut të PD, Sali Berisha, ku tha se Prokuroria e Posaçme nuk duhet të ekzistojë pas zgjedhjeve të 11 majit.

Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim parqitje” për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, Kryemadhi është shprehur se SPAK nuk është krijuar për të bërë luftë politike, por për të luftuar strukturat organizative kriminale.

Deputetja e PL, tha se SPAK është kthyer në një vegël shantazhi dhe linçimi të politikanëve sidomos atyre të opozitës duke dështuar kështu në misionin e vet të vendosjes së drejtësisë.

“Mendoj që çdo instrument ligjor për të cilën ne kemi votuar që të kemi një drejtësi të barabartë për të gjithë jo selektive, normal që momenti që kthehet në një vegël shantazhimi dhe linçimi ndaj politikanëve sidomos ndaj opozitës, sigurisht që e ka kryer misionin e saj dhe ka dështuar në gjithë misionin e vetë të vendosjes së drejtësisë. Sa i përket çështjes, SPAK nuk është krijuar për të bërë luftë politike, por është krijuar për të luftuar strukturat organizative kriminale që kanë të bëjnë me trafikun e drogës me krimin e organizuar edhe me terrorizmin, sepse një nga pikat kyçe në atë kohë ka qenë edhe çështja e terrorizmit”, – tha deputetja.

Në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, Kryemadhi shtoi se ka ardhur si rezultat për të balancuar lëvizjet e njëanshme të SPAK-ut.

“Lëvizjet që kanë ndodhur në SHBA i japin një shanc të ri jo vetëm politikës shqiptare, jo vetëm opozitës, por edhe sistemit të drejtësisë. Mendoj që edhe rasti i fundit pra arrestimi i Erion Veliajt ka ardhur si një rezultat për të balancuar lëvizjet e njëanshme të SPAK-ut për të thënë që ne nuk e kemi vetëm në një anë, por e kemi edhe me anën tjetër”, u shpreh Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë