Gazeta Si – Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi zbatoi masën “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj saj nga GJKKO vitin e kaluar për 3 vepra penale, për të cilat po hetohet bashkë me ish-presidentin Ilir Meta, i cili ndodhet në burg prej 21 tetorit.
Pasi doli prej andej, gjatë deklaratës për mediat, ajo mohoi të kishte komunikim me Ilir Metën, me të cilin është në proces divorci.
Por nga ana tjetër, kërkoi nga mediat që mos të ngatërrojnë presidentin e PL me Erion Veliajn, pasi sipas saj, Meta nuk flet çdo ditë me stafin e tij, siç bën kryebashkiaku i Tiranës nga burgu.
“Po flisja me fëmijët e mi para se të shkoja te SPAK. Ju e dini shumë mirë që unë nuk komunikoj me zotin Meta, po zotin Meta mos e ngatërroni me Erion Veliajn, i cili flet çdo ditë me stafin e tij dhe u përgjigjet edhe komentuesve“, – tha Kryemadhi.
Kryemadhi gjithashtu ka folur dhe për dosjen e saj në SPAK, teksa shtoi se pret përfundimin e të gjithë procedurës në këtë strukturë për ta çuar më pas çështjen në Gjykatën e Strasburgut.
“Po kështu, dua t’i rikujtoj SPAK inceneratorin e Tiranës, sesi bashkia vazhdon të paguajë 29 euro për ton. Për të vazhduar me sipërfaqen mbi 15 hektarë e uzurpuar nga dherat, ku inceneratori ka marrë 60 milionë euro. Nuk ka asnjë reagim nga SPAK, duke parë disa viktima që janë marrë si pjesë e evazionit fiskal. Pensionistë apo të vdekur që dilnin administratorë. 4 vjet më parë unë kam bërë të qartë inceneratorin e Tiranës. Para ca ditësh mësuat për serat në tokën e inceneratorit të ngritura me para të BE, për të marrë para nga taksapaguesit amerikanë për projekte që nuk ekzistonin”, – vijoi deputetka.
Kryemadhi dhe Ilir Meta akuzohen për “korrupsioni i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “pastrim parash” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
Si Meta, ashtu dhe Kryemadhi, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për të rrëzuar masat e sigurisë së miratuara ndaj tyre, detyrim paraqitje për Kryemadhin, dhe arrest me burg për Metën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


