Drejtësia

Pas Berishës, edhe Monika Kryemadhi nuk shkon në SPAK! Deputetja merr leje për të udhëtuar në SHBA

Gazeta Si- Prokuroria e Posaçme ka filluar të zbutë qëndrimet e saj ndaj politikanëve nën hetim për korrupsion apo pastrim parash, duke i “shpërblyer” me leje për udhëtime jashtë vendit.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi nuk është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

E akuzuar si ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta për “korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë”, Kryemadhi nuk ndodhet në Shqipëri, por në SHBA.

Sipas vendimit te gjykatës, ajo do duhej të paraqitej të hënën e parë të çdo muaji në orën 12:00, por mësohe se deputetja ka marrë leje nga prokurori i dosjes. Në tetor 2024, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Kryemadhit, masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Ajo po hetohet për tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Po për këtë dosje po hetohet edhe ish bashkëshorti i saj, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg.

Po sot në SPAK, si e hënë e parë e muajit, duhet të paraqitej edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po ashtu, ka marrë leje në SPAK për të mos u paraqitur për shkak të pranisë së tij në kongresin e CDU në Gjermani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë