Gazeta Si - Deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur mesditën e kësaj të hëne në Gjykatën e Posaçme për të tërheëqur dosjen hetimore në lidhje me hetimet ndaj saj.
Ajo akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim e fshehje pasurie nën masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa ish bashkëshorti i saj, Ilir Meta ndodhet në burg për të njëjtat akuza.
Ndryshe nga herët e tjera, Kryemadhi shoqërohej nga e bija.
E pyetur nga gazetarët, Kryemadhi u shpreh se është paraqitur për të marrë dosjen për ditën e nesërme, ku edhe parashikohet të zhvillohet seanca në Apel për masën e sigurisë ndaj saj dhe ish bashkëshortit, Ilir Meta.
Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.
Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.