Nga xhami, i papërshkueshëm prej plumbave në Muzeun e Luvrit, buzëqeshja e Mona Lizës hasi një pamje të panjohur mëngjesin tjetër: Zbrazëti. Galeria ku turma të vizitorëve grumbulloheshin për ta ndjekur çdo ditë ishte e shkretuar, nën izolimin e fundit të Francës nga koronavirusi.
Në qoshe, Fitorja me Krahë e Samotrakës pluskon qetë mbi një shkallë mermeri, madhështore pa shkopinjtë selfie dhe turnetë në grupe. Në bodrumin mesjetar të Luvrit, Sfinksi i Madh i Tanisit përvijohet në errësirë si një fantazmë graniti, nga prapa hekurave.
Megjithatë, nga palëvizshmëria e rrallë dhe monumentale, tingujt e jetës trazojnë sallat e mëdha të Luvrit. Çukitja e një kunji jehoi nga tavani mbi kokën e Sfinksit. Muzika rap gjëmoi nga Dhoma e Bronzit nën tavanin e Cy Twombly-t në Krahun Sully, afër vendit ku punëtorët po sharrojnë parketin për një dysheme të re gjigande. Në ish-apartamentet e Luigjit XIV, restauruesit me maska kirurgjikale ngjiten në skela për të ngjeshur fletët e arit, për ornamentet.
Muzeu më i vizituar në botë - një rekord prej 10 milion në 2019, kryesisht nga jashtë Francës - po has vështirësi me mbylljen më të gjatë që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi kufizimet pandemike i mbajnë thesaret e tij nën dryna. Por pa turmat që mund të shkojnë deri në 40mijë njerëz në ditë, zyrtarët e muzeut po shfrytëzojnë mundësinë e artë për një rinovim madhështor, kur vizitorët të kthehen.
“Për disa projekte, bllokimi na ka lejuar të bëjmë brenda pesë ditësh atë që do të duhej më parë pesë javë”, tha Sébastien Allard, kurator i përgjithshëm dhe drejtor i departamentit të pikturave të Luvrit.
Dashamirëve të Luvrit u është dashur të shohin kryeveprat gjatë pandemisë përmes turneve virtuale dhe hashtageve #LuvriChezVous dhe @MuseeLuvri. Miliona shikues morën një vështrim spektakolar këtë muaj nga seriali i hitit Netflix “Lupine”, në të cilin aktori Omar Sy, duke interpretuar një hajdut zotëri, luan në skena të mbushura me aksion në galeritë më të njohura të Luvrit dhe nën piramidën e qelqit, të I.M. Pei.
Por realiteti virtual vështirë se mund të zëvendësojë gjënë e vërtetë. Zyrtarët e Luvrit shpresojnë që qeveria do të rihapë institucionet kulturore për publikun së shpejti, megjithëse data varet nga kursi i virusit.
Në ndërkohë, një ushtri e vogël me rreth 250 artizanë ka punuar që kur bllokimi i fundit i Francës hyri në fuqi më 30 tetor. Në vend që të prisnin të martën - ditën e vetme që Luvri përdorte për t’u mbyllur - kuratorë, restaurues, konservatorë dhe ekspertë të tjerë po punojnë pesë ditë në javë për të përfunduar rinovimet e mëdha që kishin filluar para pandemisë dhe për të prezantuar zbukurime të reja, që ata shpresojnë të përfundojnë deri në mes të shkurtit.
Disa nga punimet janë relativisht të thjeshta, si pluhurosja e kornizave të gati 4500 pikturave. Disa janë herkuliane, si krijimet në sallën e antikitetit egjiptian dhe Krahun Sully. Gati 40 mijë pllaka shpjeguese në anglisht dhe frëngjisht janë varur pranë veprave të artit.
Edhe para pandemisë, Luvri po shihte me vëmendje menaxhimin e turmës, sepse turizmi masiv kishte nënkuptuar që shumë galeri ishin të mësyrë nga turnetë në grupe. Ndërsa kufizimet e udhëtimit kanë zvogëluar numrin e vizitorëve, muzeu do të kufizojë hyrjen për mbajtësit e biletave kur të rihapet, për të përmbushur protokollet shëndetësore.
Janë planifikuar ndryshime të tjera - si përvoja të reja ndërvepruese, duke përfshirë seanca joga çdo gjysmë ore të mërkurën, pranë kryeveprave të Jacques-Louis David dhe Rubens, si edhe punëtori, në të cilat aktorë luajnë skena nga tablo të famshme, pikërisht përpara kanavacës.
“Është një thirrje për të thënë që muzeu po jeton dhe se njerëzit kanë të drejtë t’i bëjnë këto gjëra këtu”, tha Marina-Pia Vitali, një zv / drejtore e interpretimit që mbikëqyr projektet.
Kur eca nëpër salla për një vizitë të fundit, u trondita kur pashë Venusin e Milos të ngrihej nga piedestali i saj – pa blicet e iPhone - dhe admirova, gjatë kohës së lirë, shaminë e gdhendur nga mermeri i ashpër.
Në Sallën e Kuqe shpellore - shtëpia e pikturave monumentale franceze, përfshirë kurorëzimin e Napoleonit si perandor në Notre Dame, dhe Trapin e Meduzës, që përshkohet nga shpirtra me lëkurë gri, që mbërthehen pas jetës – ndihej ekzaltim në mospërfshirjen në turmë.
Në krahun egjiptian, ekspertët e antikitetit pastruan një pllakë graniti prej dy tonësh, që do të dominojë hyrjen e re. Punëtorët po rinovojnë gjithashtu Mastaba-n, pjesë e një varri egjiptian që është ndër artefaktet më të njohura të Luvrit, në një galeri të mbuluar me pluhurin e ngritur nga nga sharra dhe çekanë.
Sophie Duberson, një restauruese, mori furçën e dhëmbëve të një fëmije dhe hoqi me delikatesë pluhurin nga hieroglifët e pllakës, të cilat ofrojnë udhëzime për ringjalljen e Senusret, shefit të thesarit egjiptian gjatë Dinastisë së 12-të, në botën e përtejme.
Vincent Rondot, drejtori i antikave egjiptiane të Luvri, inspektoi një strukturë të përkohshme mbështetëse gjashtëkatëshe që ishte ndërtuar rreth Mastaba-s, ku një mur i ri këndor i hyrjes do të ngrihej në kohë, për kthimin e turmave të shpresuara.
“Askush nuk po e feston virusin”, tha z. Rondot, ndërsa shkëndijat fluturuan nga mjeti prerës i një punëtori aty pranë. “Por ne mund ta mirëpresim këtë situatë, sepse na lejon të përqendrohemi në punë”. Në të njëjtën kohë, protokollet e distancës sociale kufizojnë numrin e punëtorëve të lejuar në hapësira të mbyllura, gjë që ndonjëherë mund të frenojë përparimin.
Artizanët që përdorin fletë ari në dhomat e Luigjit XIV, për shembull, duhet të heqin maskat për t’i fryrë fletës së hollë të metalit. Punëtorët duhet të qëndrojnë larg, kështu që më pak mund të bëjnë punën dhe puna mund të marrë më shumë kohë.
Pandemia gjithashtu ka bërë kërdinë me planifikimin për ekspozita të veçanta. Luvri jep hua rreth 400 punime në vit në muze të tjerë dhe merr hua të shumta për shfaqje speciale.
“Është me të vërtetë e komplikuar, sepse të gjithë muzetë në botë janë në proces të ndryshimit të planifikimit të tyre”, tha z. Allard. Ndërsa qeveritë urdhërojnë kufizime të reja për të frenuar një ringjallje të virusit, shfaqje speciale po shtyhen. Një hua e rezervuar për ekspozita në disa muze mund të kapet në izolim, duke e bërë të ndërlikuar dorëzimin e veprave të premtuara të artit, tha ai.
Në një statujë të vogël prej metali afër, autoportreti i një Rembrandt të ri, i shkëlqyeshëm me një beretë të zezë të gëzueshme, një gjerdan të trashë ari dhe një buzëqeshje të sigurt, mbështetej në një kornizë ovale të zbukuruar. Suksesi më i madh i vitit 1633 i ishte dhënë hua Muzeut Ashmolean në Oksford, por ishte bllokuar për tre muaj atje për shkak të kufizimeve të udhëtimit të koronavirusit.
Disa ditë më parë, ai ishte kthyer në shtëpinë e tij në Luvri me kamion, përmes tunelit nën ujë të Kanalit, që lidh Britaninë dhe Francën.
Blaise Ducos, shefi kryesor i koleksionit të pikturave holandeze dhe flamande të Luvrit, zakonisht shoqëron huatë prej Luvrit drejt destinacionit dhe anasjelltas, por mund ta shihte heqjen e Rembrandt vetëm me video. Ai shkoi me makinë në Kale për të marrë kryeveprën kur ajo doli nga Tuneli i Kanalit dhe më në fund ishte duke mbikëqyrur rivendosjen e saj në dhomën Rembrandt, në Luvër.
“Ne jemi të lumtur që e kemi përsëri”, tha z. Ducos. Aty pranë, punëtorët u ngjitën në një skelë që rrotullohej për të hequr një pikturë të madhe të Venusit të Van Dyck, që i kërkon krahë Vullkanit. E destinuar për një ekspozitë në Madrid, piktura përshkoi sallat holandeze, kaloi Astronomin e Vermeer që studion një astrolab, para se të mbërthehej para një dere të vogël në dhomën e Rubensit.
Punëtorët e kthyen pikturën në anë dhe e rrëshqitën mbi jastëkë në galerinë tjetër, ku ajo do të vazhdonte të paketohej dhe – nëse lejojnë kufizimet pandemike - të dërgohet në rrugën e saj.
“Covid ka qenë një forcë madhore”, tha z. Allard, ndërsa një dyshe pikturash holandeze u ngritën për të zëvendësuar Van Dyck. “Për momentin kemi kaq shumë pikëpyetje - është e vështirë të dihet se cila do të jetë situata për dy, tre ose katër muaj”, tha ai.
“Por pavarësisht Covid, ne vazhdojmë të punojmë si gjithmonë”, vazhdoi z. Allard. “Ne duhet të jemi të gatshëm ta mirëpresim publikun”. / New York Times. Përktheu: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.