Viti që po lëmë pas do të mbahet mend në historinë e futbollit botëror për disa momente tërëndësishme. U luajt Kupa e Botës në Rusi, Real Madrid fitoi për herë të tretë Ligën e Kampionëve, Modriç fitoi topin e artë apo edhe shumë ngjarje të tjera që do të mbeten në memorien e të gjithë tifozëve.
Goli i Kristiano Ronaldos kundër Juventus
Ishte ndeshja e parë e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve për sezonin 2017-18 mes Juventus dhe Real Madrid. Minuta e 63-të do të mbahet mend gjatë nga të gjithë tifozët për atë që portugezi Kristiano Ronaldo realizoi. Pas një krosi në zonë nga Karvahal, CR7 bëri të pamundurën, duke e çuar atë top në rrjetë me një roveshatë perfekte. Ishte goli që e çoi ndeshjen në 2-0 por dhe që vulosi dashurinë e tifozëve të Juventus për portugezin. Të gjithë e mbajnë mend reagimin e trajnerit Zinedin Zidan dhe të publikut në “Juventus Stadium” që u ngrit i gjithi në këmbë për të duartrokitur kryeveprën e sulmuesit të Real Madrid.
Goli i Gabriel Hezus që i dha 100 pikë Mançester Sitit
Një moment tjetër që do të mbahet mend nga viti që po lëmë pas është edhe ai gol i Gabriel Hezus në minutën e fundit. Ishte një gol shumë i bukur, por gjithashtu edhe me një peshë të madhe, pasi ishte goli që i siguroi Mançester Sitit për herë të parë 100 pikë në Premier League. Në ndeshjen me Sauthemton, Mançester Siti kishte provuar disa herë që të gjente rrugën e rrjetës, por nuk ia kishte dalë dot, sa për shkak të mungesës së fatit, por edhe për shkak të gabimeve të sulmuesve. Siti e kishte siguruar titullin, por Guardiola dëshironte që ta fitonte këtë përballje të fundit për të arritur një rekord personal më shumë edhe për egon e tij. Në sezonin 2017-18, Mançester Siti fitoi 32 ndeshje nga 38 në total edhe ky një rekord më vete që nuk ishte arritur asnjëherë më parë.
Dëmtimi i Muhamed Salah në finalen e Champions
Është pa dyshim momenti më i diskutuar për vitin 2018. Ishte minuta e 26-të e pjesës së parë në finalen e Ligës së Kampionëve mes Real Madrid dhe Liverpulit, kur gjatë një dyluftimi Salah-Ramos, spanjolli hodhi përtokë egjiptianin dhe ky i fundit nuk mundi ta vazhdonte ndeshjen për shkak të një dëmtimi në shpatull. Për javë dhe muaj të tërë ky dëmtim i Salah u diskutua nga mediet dhe analistë sportivë në të gjithë botën. Ky dëmtim i Salah do të ndikonte më pas edhe në paraqitjen e tij në kampionatin botëror Rusi 2018.
Fitorja e Romës me Barcelonën në Champions
Për tifozët e Romës me siguri nuk është një nga momentet më të bukura të vitit 2018-të, por edhe për më gjerë. Ajo përmbysje ndaj Barcelonës në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve nga humbja 4-1 në fitoren 3-0, ishte një arritje shumë e madhe. Kur Barcelona fitoi ndeshjen e parë 4-1, shumë menduan se sfida e kthimit në “Olimpico” do të ishte thjesht një formalitet. Por ndodhi krejtësisht e kundërta, pasi italianët nuk u dorëzuan dhe arritën të shkojnë deri në gjysmëfinale. Tre golat e Xheko, De Rosi dhe Manolas janë ngulitur në mendjet e të gjithë romanëve dhe janë edhe tani një moment krenarie për ta.
Triumfi i Real Madrid në Ligën e Kampionëve
Titulli i tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, një rekord që nuk ishte arritur asnjëherë më parë. Në 26 maj të këtij vit, Serxhio Ramos ngriti për herë të tretë titullin e kampionit të Europës, pasi “LosBlancos” mposhti Liverpulin. Fitorja 3-1 ishte shumë e thjeshtë, pasi eksperienca e lojtarëve të Zidane jepte efektin e saj.
Lopetegui dhe largimi nga Spanja para botërorit
Vetëm 2 ditë para fillimit të kampionatit botëror, Spanja mbeti pa trajnerin e saj. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë, por Hulien Lopetegui u largua nga kombëtarja iberike për të firmosur me Real Madrid. Lopetegui u shkarkua nga Federata pasi kishte negociuar me drejtuesit e “Los Blancos”, duke e shkelur rregulloren. Lupetegui nuk do të kishte një aventurë të gjatë edhe në drejtimin e Real Madrid pasi pa kaluar katër muaj në drejtimin e ekipit, ai u shkarkua për shkak të rezultateve të dobta në kampionat dhe Champions.
Shkëlqimi i Mbape në kampionatin botëror
Ai po fillon të quhet si diamanti i ri i futbollit dhe në kampionatin botëror të Rusisë ishte lojtari që shkëlqeu më shumë se të gjithë. Kilian Mbape pa mbushur 20 vjeç ka hyrë në skenën e madhe të futbollin ndërkombëtar në nivelet më të larta. Suksesin Mbape e ka vazhduar edhe në kampionatin francez këtë sezon, duke shënuar dhe asistuar pa fund.
Shkarkimi i Murinjos nga Mançester Junajtid
Një moment që do të mbahet mend nga futbolli nga ky vit ishte dhe shkarkimi i Hoze Murinjos dhe zëvendësimi i tij me Skolskjaer. Portugezi e filloi këtë sezon mes shumë polemikash dhe përplasjesh të brendshme me futbollistët e tij dhe humbja në “Anfield” me Liverpulin e “mbushi kupën”. Drejtuesit vendosën ta largojnë dhe “djajtë e kuq” do të drejtohen tashmë nga norvegjezi Ola Skolskjaer.
Largimi i Venger nga Arsenali
Pas më shumë se 25 vite, Arsen Venger u largua nga Arsenali. Ky vit do mbahet mend për tifozët e “topçinjve”, sidomos për ata nën 30 vjeç, pasi për herë të parë do të shohin në stolin e ekipit të tyre një trajner tjetër dhe jo më francezin, Venger.
Modriç fitoi Topin e Artë
I pari kroat që arrin kaq lart në majat e futbollit botëror. Luka Modriç, pasi kishte fituar gjithçka me Real Madridin dhe shkoi deri në finale të botërorit në Kroacinë, në këtë vit triumfoi edhe në planin personal. Në fillim, lojtari më i mirë i botërorit, më pas lojtari më i mirë i UEFA-s dhe në fund çmimi më i rëndësishëm, Topi i Artë. Ky vit për Modriç dhe fansat e tij pa dyshim që do të mbahet mend gjatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




