Euro 2020

Rrezikoi seriozisht jetën, stabilizohet gjendja e Kristian Eriksen

Momente paniku në fushë gjatë ndeshjes Danimarkë-Finlandë. I gjithë stadiumi ngrin, Kristian Eriksen humb ndjenjat dhe situata është dukur menjëherë serioze, por tashmë vjen lajmi i mirë se gjendja e tij është stabilizuar. E ka konfirmuar edhe UEFA me një postim në Tuiter.

Eriksen po i afrohej një shoku skuadre që po kryente rivënien anësore dhe papritur ra në fushë. Drejt lojtarit të Interit vrapoi menjëherë stafi mjekësor dhe u desh një masazh kardiak në këtë situatë për ta mbajtur në jetë. Shokët e ekipit formuan një kordon për të mos lejuar kamerat të filmonin.

Mesfushori danez pati vështirësi për të ardhur në vete. Pas disa minutash masazh kardiak nga stafi mjekësor, ai është transportuar me barrelë drejt autoambulancës..

Eriksen, duke u transportuar me barrelë. Gazeta Si, 12 qershor 2021

Lojtarët e tjerë kanë shpërthyen në lot, duke parë ato momente të frikshme. Në fushë zbriti edhe bashkëshortja e futbollistit. Fotoja që i mbajti të gjithë me shpresë është ajo ku Eriksen dallohet, duke mbajtur ballin me dorë, teksa transportohej me barrelë për në spital, ku më pas situata u stabilizua. Ndeshja u ndërpre zyrtarisht nga UEFA në minutën e 43-të, kur rezultati ishte 0-0.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë