Futboll

Moment i vështirë për Gjimshitin, Kumbulla ‘ngroh’ Mourinjon dhe Silvinjon

Gazeta Si – Mbrojtja e Kombëtares është thuajse e gjitha e instaluar në Itali, prandaj dhe trajneri Silvinjo e nisi nga ky vend monitorimin e tij. Por jo të gjithë po kalojnë një moment të mirë aktualisht.

Titullar fiks me skuadrën e tij ka qenë vetëm Ardian Ismajli deri tani. Berat Gjimshiti po përjeton një moment të vështirë, ndryshe nga më parë, kur konsiderohej shumë i rëndësishëm për Atalantën. Ai nuk është aktivizuar javët e fundit nga trajneri Gasperini. Goleadën 8-2 ndaj Salernitanës mbrojtësi kuqezi e ndoqi nga stoli dhe ka gjasa të shitet në këtë sesion të merkatos.

Berat Gjimshiti. Gazeta Si, 16 janar 2023

Për mirë ka ndryshuar situata për Marash Kumbullën, edhe ai i gozhduar në stol deri pak ditë më parë. Pas aktivizimit në Kupën e Italisë, ku nuk tregoi një nivel të mirë, trajneri Mourinjo e hodhi në fushë ndaj Fiorentinës në kampionat. I detyruar nga mungesat në mbrojtje, por pas ndeshjes portugezi foli me superlativa për Kumbullën. Trajneri Silvinjo e ndoqi nga afër mbrojtësin shqiptar të Romës.

Ky është një lajm i mirë, pasi Kombëtarja ka nevojë për Kumbullën në kualifikueset që nisin në mars me Poloninë. Një paraqitje të mirë fundjavën që lamë pas bëri edhe Elseid Hysaj në fitoren 0-2 të Lacios në fushën e Sasuolos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë