Nga Gazeta Si- Për herë të parë, një skuadër tërësisht shqiptare realizoi zhytjen në liqenin e brendshëm të shpellës “Kusia e Nue Gjonit”, në fshatin Kurbnesh, duke zbuluar lidhjen midis dy liqeneve dhe duke arritur një thellësi deri në 11 metra.
“Moment historik për speleologjinë shqiptare! Për herë të parë, një skuadër tërësisht shqiptare realizoi një zhytje dhe eksplorim nënujor brenda një shpelle në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Shoqatës Speleologjike Shqiptare.



Ekspedita në shpellën ‘Kusia e Nue Gjonit’, shënoi një arritje të veçantë: për herë të parë, u krye një zhytje profesionale në liqenin e brendshëm të shpellës, duke zbuluar lidhjen midis dy liqeneve dhe një thellësi deri në 11 metra, një fillim për eksplorime edhe më të thella në të ardhmen.
Ekspedita, e udhëhequr nga Roland Doja dhe Alket Camaj, përbëhej nga një ekip speleologësh, zhytësish dhe personash të apasionuar për kërkimin dhe eksplorimin e mjediseve natyrore.

Ata realizuan një studim që nxjerr në pah potencialin e kësaj shpelle, jo vetëm si një vend për speleologji, por edhe si një hapësirë me vlera shkencore për studimin e mjedisit nënujor dhe strukturave gjeologjike.
“Kjo ekspeditë nuk është thjesht një arritje për shoqatën tone, është një hap gjigant për eksplorimin shkencor në Shqipëri, një shembull frymëzues për brezat e rinj dhe një dëshmi e përkushtimit ndaj natyrës dhe shkencës”, thuhet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



