Të apasionuarit pas Egjiptologjisë dhe mistereve të pazgjidhura mund të përjetojnë një emocion të ri, njëqind vjet pas zbulimit të varrit të faraonit Tutankhamun në vitin 1922 nga arkeologu anglez Howard Carter.
Ky është me të vërtetë një moment historik në studimin e Egjiptit të lashtë dhe një prej rasteve të rralla të hapjes së një varri të paprekur të një faraoni.
“Është një moment i jashtëzakonshëm për egjiptologjinë dhe një nga zbulimet arkeologjike më të rëndësishme të viteve të fundit,” tha Ministri egjiptian i Turizmit dhe Antikiteteve, Sherif Fathy.
Carteri i shekullit XXI (që i referohet Howard Carter, arkeologut britanik që zbuloi varrin e faraonit Tutankhamun në vitin 1922) quhet Piers Litherland dhe zbulimi, që do të hyjë në histori, i detyrohet ekipit të tij nga Fondacioni i Kërkimeve të Mbretërisë së Re, i cili ka punuar prej vitesh në këtë drejtim në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet egjiptiane.

Gjatë viteve, grupi i punës ka gërmuar 54 varre në pjesën perëndimore të malit Teban në Luksor, duke identifikuar mbi 30 varre të grave mbretërore dhe zonjave të oborrit. Por zbulimi legjendar ndodhi gjatë kërkimeve në një zonë të njohur për varret e grave të oborrit faraonik, dy kilometra larg “Luginës së Mbretërve”, në perëndim të Luksorit. Aty, ekipi lokalizoi një dhomë funerale me tavan blu të zbukuruar me yje të verdhë, një shenjë e qartë e një varri faraonik.
Në një intervistë për BBC, Litherland deklaroi:
“Kur dola nga varri, e vetmja gjë që mund të bëja ishte të shpërtheja në lot.”
Bëhet fjalë për varrin e Thutmose II, i vetmi i dinastisë së XVIII që ende nuk ishte zbuluar, i kërkuar prej dy shekujsh. Në vitin 1881, u gjetën mbetjet e tij të mumifikuara në Deir el-Bahari, ku ishin zhvendosur në vitin 975 p.e.s. (që nga viti 2021 ato ndodhen në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian), por vendndodhja e varrit origjinal nuk ishte përcaktuar kurrë.
Thutmose II, paraardhës i Tutankhamunit, sundoi 3500 vjet më parë (midis 1493 dhe 1479 p.e.s.). Analizat e kryera mbi mumjen tregojnë se faraoni vdiq në moshën 25 deri 30 vjeç nga një sëmundje , siç dëshmojnë shenjat e lëna në trupin e tij, i mbuluar me njolla dhe plagë.
Ai është i njohur historikisht për martesën me motrën e tij nga i ati, vajzën e Thutmose I, mbretëreshën e madhe Hatshepsut, e konsideruar si një nga sundimtaret më të mëdha egjiptiane të të gjitha kohërave dhe një nga të paktat gra që qeverisi me të drejta të plota mbi fronin e “bijve të Ra-së.”
Varri hapet me një shkallë të madhe dhe një korridor të pjerrët që çon në një kalim dhjetë metra të gjatë, me një hapësirë hyrjeje prej vetëm 40 cm katrorë, ku arkeologët kanë qenë të detyruar të zvarriten.

“Artefaktet e zbuluara,” ka deklaruar Mohamed Ismail Khaled, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Antikiteteve të Egjiptit “janë një shtesë e rëndësishme për historinë e zonës arkeologjike dhe mbretërimin e Thutmose II. Për herë të parë është gjetur kompleti i tij funerary, nga i cili nuk ekziston asnjë artefakt në muzeumet e botës.”
Doktor Litherland beson se varri është zgjeruar gjashtë vjet pas varrimit të faraonit dhe se shumica e përmbajtjes së tij është zhvendosur diku tjetër në kohët e lashta. Ai gjithashtu mendon se ka një ide mbi vendndodhjen e këtij varri të dytë të mbretit, i cili mund të jetë ende i paprekur dhe i mbushur me thesare. Ky zbulim, pra, hap rrugën për një vazhdim emocionues të kërkimeve.
Lajmi për këtë zbulim i shtohet edhe një tjetër ngjarjeje madhore që do të ndodhë këtë vit në Egjipt.
Më 3 korrik, sipas autoriteteve egjiptiane, do të hapet më në fund për publikun “Muzeu i Madh Egjiptian”(Grand Egyptian Museum – GEM) ose Muzeu i Gizës, i cili do të bëhet muzeu më i madh egjiptian në botë dhe një nga muzeumet më të mëdha arkeologjike të dedikuara një qytetërimi të vetëm. Me 100 mijë artefakte të ekspozuara në një hapësirë prej 500 mijë metra katrorë, muzeu ndodhet vetëm dy kilometra larg Piramidave të Mëdha të Gizës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




