Ka ndodhur

Molotovët në protestën e PD te kryeministria, arrestohen 4 persona

Gazeta Si – Katër persona janë arrestuar dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë në lidhje me incidentet e ndodhura mbrëmjen e të hënës në protestën e opozitës para kryeministrisë.

Mes personave që do të hetohen në gjendje të lirë, është dhe sekretari organizativ i PD, Ervin Minarolli dhe një i mitur (16 vjeç).

Policia thotë se u arrestuan në flagrancë: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç. Ndërsa nisi procedimi penal për: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.  

Pas fjalimit të Berishës, protestuesit i vunë flakën pjesës së përparme të godinës së Këshillit të Ministrave duke hedhur shishe molotovi.

Më pas, disa prej tyre hoqën një gardh metalik, ndërsa policia nuk lejoi qytetarët që të hyjnë në oborrin e kryeministrisë.

Incidenti më i rëndë u regjistrua kur një nga protestuesit u përfshi nga flakët si pasojë e hedhjes së molotovit dhe lëndëve piroteknike. Nga ana tjetër dy efektivë policie mësohet se kanë mbetur të lënduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë